Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I:
KREU I.- DISPOZITA TË PËRGJTHSHME
Neni 1.- Qëllimi
Ky ligj përcakton rregullat bazë për krijimin, administrimin e bazave të të dhënave shtetërore dhe ndërveprimin ndërmjet tyre, për të siguruar përdorimin me efektivitet, për interesa dhe shërbime publike, nga çdo subjekt i interesuar.
Neni 2.- Fusha e zbatimit
1. Ky ligj zbatohet për bazat e të dhënave shtetërore, që:
a) krijohen dhe administrohen nga çdo institucion publik;
b) krijohen ose administrohen nga çdo person juridik privat, që ushtron funksion publik, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Bazat e të dhënave shtetërore, që krijohen për të plotësuar vetëm kërkesat për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të institucionit publik, nuk i nënshtrohen këtij ligji.
Neni 3.- Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) «Baza e të dhënave shtetërore» kuptohet grumbullimi i organizuar i informacionit, i ruajtur në formë elektronike, ku përpunimi dhe përditësimi i tij kryhen nëpërmjet një sistemi kompjuterik, si pjesë e plotësimit të detyrimeve ligjore të institucionit administrues.
b) «Subjekt i interesuar» kuptohet çdo person fizik ose juridik, të cilit i lejohet të aksesojë bazën e të dhënave shtetërore.
c) «Dhënësi i informacionit» kuptohet një person publik apo privat, i përcaktuar në aktin e krijimit, për të dhënë informacionin në bazën e të dhënave shtetërore.
ç) «Institucioni administrues» kuptohet institucioni përgjegjës për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore, në përputhje me aktin e krijimit.
d) «Ndërveprimi» është procesi i shkëmbimit të informacionit ndërmjet bazave të të dhënave.
dh) «Përfundimi i funksionimit» kuptohet shkatërrimi, transferimi në një bazë tjetër të dhënash shtetërore, arkivimi, përdorimi për qëllime statistikore dhe shkencore, i plotë ose i pjesshëm, i bazës së të dhënave.
KREU II.- RREGULLAT PËR KRIJIMIN DHE ADMINISTRIMIN E BAZËS SË TË DHËNAVE
Neni 4.- Krijimi i bazës së të dhënave shtetërore
1. Baza e të dhënave shtetërore krijohet me ligj ose me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Akti i krijimit të bazës së të dhënave shtetërore përcakton:
a) institucionin administrues të bazës së të dhënave shtetërore;
b) të dhënat parësore dhe dytësore;
c) dhënësin/dhënësit e informacionit;
ç) ndërveprimin me bazat e tjera të të dhënave;
d) nivelin e aksesimit për subjektet e interesuara.
3. Ndalohet krijimi i bazave të të dhënave shtetërore të veçanta për të njëjtin informacion ose qëllim.
Neni 5.- Administrimi i bazës së të dhënave shtetërore
Administrimi i bazës së të dhënave shtetërore bëhet në përputhje me këtë ligj dhe me legjislacionin në fuqi. Rregulloret për organizimin dhe funksionimin e brendshëm të bazës së të dhënave shtetërore përcaktohen nga institucioni administrues dhe miratohen nga titullari i tij, në përputhje me standardet, rregullat dhe procedurat e përcaktuara sipas nenit 10 të këtij ligji.
Neni 6.- Përfundimi i bazës së të dhënave shtetërore
Përfundimi i funksionimit të bazës së të dhënave shtetërore bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe aktet e nxjerra në zbatim të nenit 10 të këtij ligji.
Neni 7.- Të dhënat parësore dhe dytësore
Baza e të dhënave shtetërore përmban të dhënat parësore dhe të dhënat dytësore.
a) Të dhënat parësore të një baze të dhënash shtetërore janë informacione specifike, të mbledhura nga institucioni administrues, në përputhje me aktin e krijimit.
b) Të dhënat dytësore janë të dhënat që merren nga një bazë tjetër të dhënash, ku ato janë parësore.
Neni 8.- Rregulla bazë të koordinimit
1. Ndërveprimi ndërmjet bazave të të dhënave shtetërore bëhet vetëm me të dhënat parësore.
2. Ndalohet ndërveprimi i bazave të të dhënave shtetërore me të dhënat dytësore.
KREU III.- AUTORITETI RREGULLATOR KOORDINUES I BAZAVE TË TË DHËNAVE SHTETËRORE
Neni 9.- Autoriteti Rregullator Koordinues i bazave të të dhënave shtetërore
Autoriteti Rregullator Koordinues i bazave të të dhënave shtetërore (në vijim Autoriteti Rregullator Koordinues), i cili është përgjegjës për rregullimin dhe koordinimin e përgjithshëm të bazave të të dhënave shtetërore, përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për shoqërinë e informacionit.
Neni 10.- Përgjegjësitë e Autoritetit Rregullator Koordinues
1. Autoriteti Rregullator Koordinues ka këto përgjegjësi:
a) përpunon, përditëson dhe standardizon procedura dhe rregulla për krijimin, regjistrimin, përfundimin funksionimit, administrimin, ndërveprimin dhe sigurinë e bazave të të dhënave shtetërore dhe elementeve të tjera specifike që lidhen me këto procese;
b) regjistron bazat e të dhënave shtetërore përpara se të vihen në përdorim;
c) miraton arkitekturën dhe strukturën e bazës së të dhënave shtetërore;
ç) kontrollon zbatimin e kërkesave teknike të bazës së të dhënave shtetërore;
d) kryen ose autorizon, nëpërmjet një ekspertize të kualifikuar e të pavarur, auditimin e bazës së të dhënave.
2. Procedurat dhe rregullat e detajuara për krijimin, regjistrimin, përfundimin e funksionimit, administrimin, ndërveprimin dhe sigurinë e bazave të të dhënave shtetërore miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës që mbulon veprimtarinë e Autoritetit Rregullator Koordinues.
Neni 11.- Kundërvajtjet administrative
1. Mosrespektimi i rregullave dhe procedurave të nxjerra në zbatim të pikës 2 të nenit 10 të këtij ligji, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 10 000 (dhjetë mijë) lekë deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.
2. Kompetenca për konstatimin e kundërvajtjes i takon Autoritetit Rregullator Koordinues, në përputhje me aktet që parashikojnë kompetencat dhe ndarjen e përgjegjësive të institucionit. Kompetenca për shqyrtimin dhe për nxjerrjen e vendimit të kundërvajtjes administrative i takon titullarit të Autoritetit Rregullator.
3. Procedurat e ekzekutimit të vendimit bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.
Neni 12.- Bashkëpunimi me Autoritetin Rregullator Koordinues
1. Institucionet administruese bashkëpunojnë me Autoritetin Rregullator Koordinues për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga ky ligj.
2. Detyrimet e përcaktuara në këtë ligj në asnjë rast nuk përjashtojnë detyrimet që burojnë nga ligji Nr. 9887, datë 10.3.2008 «Për mbrojtjen e të dhënave personale».
KREU IV.- DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 13.- Dispozitë kalimtare
Ministri përgjegjës për shoqërinë e informacionit, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcakton për zbatim masat administrative për rregullimin, në përputhje me këtë ligj, të veprimtarisë së subjekteve që tërësisht ose pjesërisht kanë krijuar një ose më shumë baza të dhënash.
Neni 14.- Aktet nënligjore
Ngarkohet Këshilli i Ministrave për të nxjerrë, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, aktet nënligjore në zbatim të neneve 9 e 10 pika 2 të këtij ligji.
Neni 15.- Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
K R Y E T A R E
Jozefina Topalli (Çoba)