Në mbështetje të neneve 81 pikat 1 dhe 2 shkronja “d” dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e deputetes Majlinda Bregu,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin Nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Në nenin 117, pas paragrafit të parë shtohet një paragraf me këtë përmbajtje:
“Përdorimi i të miturit për prodhimin e materialeve pornografike, si dhe shpërndarja ose publikimi i tyre në internet apo në forma të tjera, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në pesë milionë lekë.”.
Neni 2
Pas nenit 124/a shtohet neni 124/b me këtë përmbajtje:
“Neni 124/b.- Keqtrajtimi i të miturit
Keqtrajtimi fizik ose psikologjik i të miturit nga personi që është i detyruar të kujdeset për të, dënohet me burgim nga tre muaj deri në dy vjet.
Detyrimi i të miturit për të punuar, për të siguruar të ardhura, për të lypur apo për të kryer veprime që dëmtojnë zhvillimin e tij dënohet me burgim deri në katër vjet dhe me gjobë nga pesëdhjetë mijë deri në një milion lekë.
Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shëndetit ose vdekja e të miturit, dënohet me burgim nga dhjetë deri në njëzet vjet.”
Neni 3
Në nenin 128/b, paragrafi i parë, pas fjalës “rekrutimi” shtohet fjala “shitja”.
Neni 4
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shpallur me dekretin Nr.5606, datë 6.2.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi