Ligji Nr. 102/2012, për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr. 9918, datë 19.5.2008 «Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë« (1)
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin 9918, datë 19.5.2008 «Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë», bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 3 bëhen këto ndryshime e shtesa:
1. Pikat 5, 36, 37 dhe 45 ndryshohen si më poshtë:
«5. «Facilitetet shoqëruese» janë ato shërbime shoqëruese, infrastruktura fizike dhe facilitete të tjera ose elemente të lidhura me një rrjet të komunikimeve elektronike dhe/ose një shërbim të komunikimeve elektronike, të cilat mundësojnë dhe/ose mbështesin ofrimin e shërbimeve nëpërmjet këtij rrjeti dhe/ose shërbimi ose kanë potencial për ta bërë këtë, e që përfshijnë, ndërmjet të tjerash, ndërtesat ose hyrjen në ndërtesa, kabllot e ndërtesave, antenat, kullat dhe ndërtime të tjera mbështetëse, kanalizime, tubacione, shtylla, puseta dhe kabinete.
36. «Rrjet i komunikimeve elektronike» janë sistemet e transmetimit dhe, nëse ekzistojnë, sistemet e komutimit ose rrugëzimit dhe burime të tjera, përfshirë elementet e rrjetit që nuk janë aktive, të cilat lejojnë përcjelljen e sinjaleve nëpërmjet përcjellësve, radios, mjeteve optike ose mjeteve të tjera elektromagnetike, duke përfshirë rrjetet satelitore, rrjetet fikse tokësore (me komutim të qarqeve ose me komutim të paketave, përfshirë internetin), rrjetet e lëvizshme tokësore, sistemet e kabllove elektrike, në raste kur ato përdoren për transmetimin e sinjaleve, rrjetet e përdorura për transmetimet radiotelevizive dhe rrjetet kabllore televizive, pavarësisht nga tipi i informacionit të përcjellë.
37. «Rrjet i komunikimeve publike» është një rrjet i komunikimeve elektronike, që përdoret, tërësisht ose kryesisht, për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike, të disponueshme për publikun dhe që suporton transferimin e informacionit ndërmjet pikave fundore të rrjetit.
45. «Shërbim telefonik i disponueshëm për publikun» është një shërbim i disponueshëm për publikun për origjinimin dhe marrjen direkte ose indirekte të thirrjeve kombëtare, apo kombëtare e ndërkombëtare, nëpërmjet një ose më shumë numrave në një plan numeracioni telefonik kombëtar ose ndërkombëtar.».
2. Pas pikës 59 shtohen pikat 60 deri në 66 me këtë përmbajtje:
«60. «Organi i Rregullatorëve Europianë për Komunikimet Elektronike (BEREC)» është organi i krijuar nga Rregullorja (KE) Nr. 1211/2009 e Parlamentit Europian dhe e Këshillit e 25 nëntorit 2009.
61. «Përcaktimi i një brezi frekuencash» është destinimi i një brezi të dhënë frekuencash në Planin Kombëtar të Frekuencave, me qëllim përdorimi nga një ose më shumë shërbime radio-komunikimi, sipas kushteve specifike.
62. «Caktim i frekuencave» është dhënia e autorizimit për përdorimin e një frekuence apo kanali frekuence, sipas kushteve specifike.
63.»Pëlqim i subjektit të të dhënave» është çdo deklaratë me vullnet të plotë e të lirë, e dhënë shprehimisht dhe në dijeni të plotë për çfarë të dhënat do të përpunohen, me të cilën nënkupton që subjekti i të dhënave pranon që të përpunohen të dhënat e tij.
64.»Skedar» është një bashkësi të dhënash të ndërlidhura mes tyre, që ruhen në një pajisje ruajtje të dhënash elektronike.
65. «Shërbime shoqëruese» janë ato shërbime të lidhura me një rrjet të komunikimeve elektronike dhe/ose një shërbim të komunikimeve elektronike, të cilat mundësojnë dhe/ose mbështesin ofrimin e shërbimeve nëpërmjet këtij rrjeti dhe/ose shërbimi ose kanë potencial për ta bërë këtë, dhe që përfshijnë, ndërmjet të tjerash, përkthimin e numrave ose sistemet e ofrimit të funksionalitetit ekuivalent, sistemet e aksesit të kushtëzuar dhe udhëzuesit e programit elektronik, gjithashtu, shërbime të tjera të tilla, si shërbimet e identitetit, vendndodhjes dhe prezencës.
66. «Cenim i të dhënave personale» është çdo cenim i sigurisë që çon në shkatërrimin, humbjen, ndryshimin ose shpërndarjen e paautorizuar, aksidentale apo të paligjshme ose aksesi në të dhënat personale të transmetuara, të ruajtura ose të përpunuara, në lidhje me ofrimin e një shërbimi të komunikimeve elektronike të disponueshëm për publikun.».
Neni 2
Në nenin 5 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 3, pas fjalës «Harton» shtohen fjalët «dhe paraqet në Këshillin e Ministrave».
2. Pika 4 ndryshohet si më poshtë:
«4. Mund të nxjerrë urdhra dhe udhëzime me karakter normativ për çështje që lidhen me zbatimin e këtij ligji dhe politikave të zhvillimit të sektorit të komunikimeve elektronike, të miratuara nga Këshilli i Ministrave.».
3. Pika 10 ndryshohet si më poshtë:
«10. Bazuar në propozimet e AKEP-it, miraton kufizimet e mundshme për dhënien e frekuencave, procedurat përkatëse të konkurrimit publik, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave dhe vlerën minimale për dhënien e tyre.».
4. Pikat 12 dhe 13 shfuqizohen.
Neni 3
Në nenin 7 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:
«1. AKEP-i ushtron funksionet në përputhje me parimin e ligjshmërisë, sipas këtij ligji dhe akteve të tjera normative, si dhe në përputhje me politikat sektoriale kombëtare të zhvillimit të komunikimeve elektronike e me marrëveshjet ndërkombëtare në fushën e komunikimeve elektronike, ku Republika e Shqipërisë është palë. AKEP-i merr parasysh rekomandimet dhe vendimet përkatëse të Komisionit Europian dhe BEREC-it.».
2. Në pikën 3, shkronja «a» riformulohet si më poshtë:
«a) për t’u krijuar mundësinë çdo kategorie përdoruesish të shërbimeve të komunikimeve elektronike, përfshirë edhe përdoruesit me aftësi të kufizuara, të kenë përfitime maksimale nga aksesi në shërbimet e komunikimeve elektronike, në kuptimin e zgjedhjes së çmimit dhe cilësisë.»
Neni 4
Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:
1. Në shkronjën «c», fjalët «si dhe tarifa jo më të larta se tarifa mesatare e vendeve të BE-së» zëvendësohen me fjalët «si dhe tarifa të orientuara në kosto».
2. Në shkronjën «n», pas fjalëve «dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike» shtohen fjalët «si dhe mosmarrëveshjet ndërmjet pajtimtarëve dhe sipërmarrësve».
3. Shkronja «r» shfuqizohet.
4. Pas shkronjës «sh» shtohen shkronjat «t», «th»,»u» dhe «v» me këtë përmbajtje:
«t) përcakton rregullat për funksionimin e shërbimit të radiondërlidhjes bregdetare;
th) përcakton rregullat dhe kërkesat teknike për funksionimin e shërbimeve radioamatore në Republikën e Shqipërisë;
u) siguron disponueshmërinë e një baze qendrore të dhënash për portabilitetin e numrit;
v) përcakton masa për rregullimin e tarifave, si dhe çmimet maksimale që mund të aplikohen në një seri të caktuar të numrave të përdorur për shërbimet me vlerë të shtuar, premium, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve.».
Neni 5
Në nenin 9 pika 2 bëhen ndryshimet si më poshtë:
a) Fjalët «tremujorit të parë» zëvendësohen me fjalët «katër muajve të parë».
b) Në fund të pikës shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
«Një kopje e raportit i dërgohet ministrit.».
Neni 6
Në nenin 13 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 4 ndryshohet si më poshtë:
«4. Sipërmarrësi i autorizuar, sipas këtij neni, ka të drejtë:
a) të ofrojë rrjete apo shërbime të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë;
b) të aplikojë për marrjen e së drejtës së instalimit të facilitetve të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi.».
2. Pas pikës 4 shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:
«5. Kur një sipërmarrës i autorizuar, sipas këtij neni, ofron rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike për publikun, atëherë autorizimi i përgjithshëm i jep të drejtë:
a) të negociojë për interkoneksion dhe, kur është e zbatueshme, për të marrë akses nga sipërmarrësit e tjerë të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve të disponueshme për publikun, në përputhje me këtë ligj;
b) të marrë pjesë në përcaktimin si ofrues i shërbimit universal për shërbime të veçanta në skemën e shërbimit universal ose në pjesë të caktuara të territorit të Republikës së Shqipërisë.»
Neni 7
Në nenin 14 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 2, paragrafi i parë riformulohet si më poshtë:
«Njoftimi i sipërmarrësit bëhet me shkrim, sipas rregullave të miratuara nga AKEP-i, dhe duhet të përmbajë informacionin e mëposhtëm:»
2. Në pikën 5, fjalët «AKEP-i regjistron operatorët ose ofruesit e shërbimit brenda 15 ditëve» zëvendësohen me fjalët «AKEP-i regjistron sipërmarrësit brenda 7 ditëve».
3. Pika 6 riformulohet si më poshtë:
«6. Brenda 7 ditëve nga data e marrjes së një njoftimi jo të plotë në dokumentacion, sipas kërkesave në pikat 2 e 3 të këtij neni, AKEP-i informon sipërmarrësin për nevojën e plotësimit të informacionit të munguar. Nëse sipërmarrësi nuk e plotëson informacionin e munguar brenda 15 ditëve, AKEP-i informon sipërmarrësin se nuk do ta regjistrojë atë. Sipërmarrësi ka të drejtë të ankohet në Këshillin Drejtues të AKEP-it për këtë çështje.».
4. Në pikën 7, fjala «dokumentacion» zëvendësohet me fjalën «informacion».
5. Në fjalinë e fundit të pikës 9 hiqen fjalët «për të mundësuar aksesin në distancë».
Neni 8
Në nenin 15 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në paragrafin e parë bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Paragrafi i parë bëhet pika 1 e këtij neni.
b) Në fund të shkronjës «dh» shtohen fjalët «duke përfshirë sigurimin e aksesit për përdoruesit me aftësi të kufizuara».
c) Shkronja «e» ndryshohet si më poshtë:
«e) respektimin e kufizimeve në lidhje me përmbajtjet e paligjshme ose të dëmshme, sipas rregullimeve përkatëse ligjore në fuqi;».
ç) Pas shkronjës «l» shtohen shkronjat «ll» dhe «m» me këtë përmbajtje:
«ll) përdorimin e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimit nga autoritetet publike, për të paralajmëruar publikun për kërcënimet e pashmangshme nga katastrofat e mëdha dhe për zbutjen e pasojave nga katrastrofat e mëdha;
m) detyrimet e operatorëve të rrjeteve të komunikimeve elektronike që ofrojnë komunikimin ndërmjet pikave fundore të rrjetit për transparencë dhe informim për kufizimet e aksesit ose të përdorimit të shërbimeve, aplikimeve në rastin e zbatimit të tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi.».
2. Pas pikës 1 shtohen pikat 2 dhe 3 me këtë përmbajtje:
«2. Kushtet e vendosura nga AKEP-i, sipas pikës 1 të këtij neni, duhet të jenë jodiskriminuese, proporcionale, transparente, të justifikuara për rrjetin ose shërbimin në fjalë dhe nuk duhet të dublojnë kushte që aplikohen ndaj sipërmarrësve nga akte të tjera ligjore në fuqi. Autorizimi i përgjithshëm për ofrimin e shërbimeve dhe/ose rrjeteve të komunikimeve elektronike është subjekt i kushteve, sipas rregullores së miratuar nga AKEP-i.
3. Në rastin e përdorimit të frekuencave, sipërmarrësit duhet të përmbushin kushtet e përdorimit të frekuencave, sipas përcaktimeve në kreun VII të këtij ligji. Në rastin e përdorimit të numrave sipërmarrësit duhet të përmbushin kushtet, sipas përcaktimeve në kreun IX të këtij ligji, si dhe parimet e përcaktuara nga AKEP-i për tarifat dhe çmimet maksimale që mund të aplikohen në një seri të caktuar numerike.».
Neni 9
Neni 16 ndryshohet si më poshtë:
«Neni 16.- Detyrimi për të dhënë informacion
1. Sipërmarrësit që ofrojnë rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike janë të detyruar t’i japin AKEP-it, me kërkesë të tij, çdo informacion të nevojshëm për të përmbushur detyrimet funksionale të AKEP-it, sipas këtij ligji.
2. Në veçanti, AKEP-i mund të kërkojë informacion, duke përfshirë informacione financiare, të cilat janë të nevojshme për:
a) verifikimin sistematik ose rast pas rasti të pajtueshmërisë me dispozitat e këtij ligji;
b) për procedurat dhe vlerësimin e kërkesave për dhënien e të drejtave të përdorimit;
c) publikimin e përmbledhjeve krahasuese të cilësisë dhe çmimeve të shërbimeve në interes të përdoruesit;
ç) qëllime statistikore, në përputhje me legjislacionin në fuqi ose që rrjedhin nga marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe organizatave ndërkombëtare;
d) informacion lidhur me zhvillimet e ardhshme të rrjeteve ose shërbimeve që mund të kenë ndikim në shërbimet me shumicë, të cilat sipërmarrësit ua ofrojnë konkurrentëve; dhe
dh) analizën e tregjeve, në përputhje me kreun VI të këtij ligji. Sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg për tregjet me shumicë, gjithashtu, mund t’u kërkohet të paraqesin të dhënat e kontabilitetit për tregjet me pakicë, të cilat shoqërohen me ato të tregjeve me shumicë.
3. Sipërmarrësit ofrojnë informacionin, sipas kërkesës e në përputhje me afatet kohore dhe nivelin e detajeve të kërkuara nga AKEP-i, sipas përcaktimeve të parashikuara në rregulloren përkatëse. Në rast mosparaqitjeje të informacionit të kërkuar, AKEP-i zbaton përcaktimet e paragrafëve VI dhe VII të nenit 137 të këtij ligji.
4. Informacioni i kërkuar nga AKEP-i do të jetë proporcional me përmbushjen e detyrave funksionale, për të cilat është kërkuar, dhe AKEP-i do të japë arsyet për të cilat ky informacion është kërkuar.
5. Nëse informacioni është vlerësuar si konfidencial, AKEP-i e siguron atë në përputhje me legjislacionin në fuqi për sekretin tregtar të biznesit. Nëse informacioni nuk është konfidencial, AKEP-i e publikon ose e vë në dispozicion të publikut, sipas kërkesës së tij, kur kjo është e nevojshme për të krijuar një treg të hapur dhe konkurrues. Nëse konfidencialiteti i informacionit është i diskutueshëm, AKEP-i vendos për konfidencialitetin pasi të ketë dëgjuar sipërmarrësin, vlerësuar interesat e sipërmarrësit për të trajtuar informacionin si konfidencial, si dhe interesat e publikut për të krijuar një treg të hapur dhe konkurrues.
6. Sipërmarrësit, të cilët ofrojnë rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike, janë të detyruar t’i paraqesin ministrit, me kërkesë të tij, të gjithë informacionin e nevojshëm për të përmbushur detyrat funksionale të ministrit, sipas këtij ligji. Ministri nxjerr udhëzim për të dhënat statistikore që raportohen pranë tij.».
Neni 10
Neni 25 ndryshohet si më poshtë:
«Neni 25.- Disponueshmëria e shërbimit universal
1. Shërbimet e përfshira në shërbimin universal, sipas këtij ligji, duhet të jenë të disponueshme për përdoruesit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht vendndodhjes gjeografike,
me cilësinë dhe kushtet e përcaktuara në aktin rregullator të nxjerrë nga AKEP-i, dhe me çmim të përballueshëm, në përputhje me kushtet specifike kombëtare.
2. AKEP-i, në përputhje me përcaktimet e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij për shërbimin universal, merr masat e duhura rregulluese, bazuar në parimet e objektivitetit, transparencës, mosdiskriminimit dhe proporcionalitetit, për garantimin e ofrimit të shërbimit universal, të përmendur më sipër, me sa më pak dëmtime të mundshme të tregut, në veçanti nga ofrimi i shërbimeve me çmime, terma dhe kushte të tjera nga ato të ofruara nga tregu për qëllim të interesit publik.».
Neni 11
Pas nenit 25 shtohen nenet 25/1, 25/2, 25/3 dhe 25/4 me këtë përmbajtje:
«Neni 25/1.- Sigurimi i aksesit nga një vendndodhje fikse dhe ofrimi i shërbimit telefonik
1. Çdo kërkesë e arsyeshme për lidhje me rrjetin e komunikimeve publike në një vendndodhje fikse duhet të mundësohet nga, të paktën, një sipërmarrës. AKEP-i merr masat e duhura rregullatore për përmbushjen e këtij detyrimi nga ofruesi/t e caktuar për ofrimin e shërbimit universal.
2. Lidhja e ofruar me rrjetin e komunikimeve publike duhet t’i krijojë përdoruesit mundësi:
a) të bëjë dhe të marrë thirrje lokale, kombëtare e ndërkombëtare;
b) komunikimin me faks;
c) komunikimin e të dhënave me një shpejtësi të kënaqshme për të lejuar aksesin funksional të internetit, duke marrë parasysh teknologjitë mbizotëruese të përdorura nga shumica e pajtimtarëve dhe mundësitë e realizimit teknologjik.
Neni 25/2.- Sigurimi i numëratorit telefonik dhe rubrika e informimit për numrat
1. Ofrimi i shërbimit universal duhet të garantojë që:
a) të paktën, një numërator telefonik i përgjithshëm të jetë i disponueshëm për përdoruesit fundorë, sipas formatit te miratuar nga AKEP-i, në formë të printuar ose elektronike, si dhe të përditësohet rregullisht, të paktën, një herë në vit;
b) të paktën, një shërbim i informacionit për numrat telefonikë të përgjithshëm të jetë i disponueshëm për të gjithë përdoruesit fundorë, përfshirë përdoruesit e telefonave me pagesë.
AKEP-i merr masat e duhura rregullatore për përmbushjen e këtij detyrimi.
2. Numëratori Telefonik i Përgjithshëm dhe shërbimi i informacionit për numrat duhet të repektojnë kërkesat e këtij ligji për mbrojtjen e privatësisë në komunikimet elektronike dhe të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.
3. Sipërmarrësi/t, që ofrojnë shërbimet e përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, zbatojnë parimin e mosdiskriminimit në trajtimin e informacionit të dhënë nga sipërmarrësit e tjerë.
Neni 25/3.- Telefonat publikë me pagesë dhe pikat e tjera të aksesit publik telefonik
1. AKEP-i mund të imponojë detyrime ndaj sipërmarrësve, me qëllim që telefonat publikë me pagesë ose pika të tjera të aksesit publik telefonik të ofrohen duke plotësuar nevojat e arsyeshme të përdoruesve fundorë në termat e mbulimit gjeografik, numrit të telefonave ose pikave të aksesit, aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar dhe cilësisë së shërbimit.
2. AKEP-i, mbi bazën e një konsultimi me palët e interesuara, mund të vendosë të mos imponojë detyrime, sipas pikës 1 të këtij neni, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë ose në pjesë të tij, nëse këto shërbime ose të tjera të krahasueshme janë gjerësisht të disponueshme.
3. Telefonat publikë me pagesë duhet të mundësojnë thirrjen drejt numrit 112 dhe numrave të tjerë të emergjencës pa pagesë dhe pa qenë nevoja e përdorimit të mjetit të pagesës, të parashikuar për to.
Neni 25/4 .- Masat për përdoruesit me aftësi të kufizuar
1. AKEP-i vendos kushte për sigurimin e kushteve për akses të barasvlershëm dhe përdorimin e shërbimeve telefonike të disponueshme për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara, duke përfshirë akses në shërbimet e thirrjeve të emergjencës dhe për informimin në numëratorin telefonik për të gjithë përdoruesit në Republikën e Shqipërisë.
2. AKEP-I, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse për përfshirjen sociale, bën vlerësimin për nevojat e përgjithshme dhe kërkesat specifike, duke përfshirë masën dhe formën konkrete të këtyre masave specifike për personat me aftësi të kufizuar.».
Neni 12
Në nenin 26 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:
«1. AKEP-i mund të përcaktojë një ose më shumë sipërmarrës për të garantuar ofrimin e shërbimit universal, sipas përcaktimeve të nenit 25 të këtij ligji, përfshirë, për aq sa është e zbatueshme, kërkesat e pikës 3 të nenit 27 të këtij ligji, në mënyrë që i gjithë territori i vendit të jetë i mbuluar. AKEP-i mund të përcaktojë sipërmarrës të ndryshëm ose një bashkim sipërmarrësish për ofrimin e elementeve të ndryshme të shërbimit universal dhe/ose për mbulimin e pjesëve të ndryshme të territorit të vendit.».
2. Pika 2 shfuqizohet.
3. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:
«3. Rregullat për përcaktimin e ofruesit/esve të shërbimit universal miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit. Në procesin e përcaktimit të një ose më shumë ofruesve të shërbimit universal, AKEP-i respekton parimet e efektivitetit, të objektivitetit, transparencës dhe mosdiskriminimit. Asnjë sipërmarrës nuk është i përjashtuar paraprakisht nga e drejta për të qenë ofrues i shërbimit universal.».
4. Pika 4 shfuqizohet.
5. Pika 5 ndryshohet si më poshtë:
«5. AKEP-i kryen procedurën e përcaktimit të ofruesit/esve të shërbimit universal, sipas rregullave të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, duke marrë në konsideratë:
a) rrethanat dhe zhvillimin e tregut të komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë, lidhur me nevojën e zbatimit të shërbimit universal;
b) aftësitë teknike, financiare dhe besueshmërinë e sipërmarrësit/ve për sigurimin e shërbimit universal në një zonë të caktuar ose gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, brenda periudhës kohore të përcaktuar;
c) kostot përkatëse neto për ofrimin e shërbimit universal, si dhe, për sa është e zbatueshme, vlerën korresponduese të kompensimit, që mund të kërkohet nga operatori për ofrimin e shërbimit universal.».
6. Në pikën 6, fjalët «së tenderit» zëvendësohen me fjalët «së përcaktimit».
7. Pas pikës 7 shtohet pika 8 me këtë përmbajtje:
«8. Kur një ofrues i shërbimit universal ka për qëllim të zhvendosë një pjesë të konsiderueshme ose të gjitha asetet e rrjetit të tij të aksesit lokal në një person juridik në pronësi tjetër, duhet të informojë paraprakisht AKEP-in, në mënyrë që t’i mundësojë AKEP-it të vlerësojë efektet e transaksionit të synuar në ofrimin e aksesit në vendndodhje fikse dhe të shërbimeve telefonike, sipas nenit 25/1 të këtij ligji. AKEP-i mund të vendosë, të ndryshojë ose të heqë detyrimet e veçanta, në përputhje me nenin 17 të këtij ligji.».
Neni 13
Në nenin 27 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 ndryshohet si më poshtë:
«1. AKEP-i monitoron ndryshimet dhe nivelin e tarifave të shërbimeve, të përcaktuara në nenet 25/1 deri në 25/4 dhe pikës 3 të këtij neni, të ofruara nga ofruesi/t e shërbimit universal ose nga tregu, nëse nuk kemi ofrues të shërbimit universal të caktuar.».
2. Pika 3 ndryshohet si më poshtë:
«3. Ofruesit e shërbimit universal mund të ofrojnë tarifa opsionale, paketa tarifore të veçanta dhe mënyra pagese të veçanta për pajtimtarët me të ardhura të pakta dhe/ose për pajtimtarët me nevoja të veçanta, në mënyrë që këta pajtimtarë të mos jenë përjashtuar nga aksesi në rrjet dhe përdorimi i shërbimeve të përcaktuara në këtë kre.».
3. Pika 6 ndryshohet si më poshtë:
«6. AKEP-i detyron ofruesit e shërbimit universal t’u ofrojnë pajtimtarëve të tyre mundësinë për të përdorur shërbimet e mëposhtme:
a) bllokimin me zgjedhje dhe pa pagesë të thirrjeve dalëse a mesazheve të shkurtra SMS me vlerë të shtuar ose MMS-ve apo, kur është teknikisht e mundur, të shërbimeve të tjera të ngjashme;
b) sistemet e parapagimit, për të pasur akses në rrjetet e komunikimit elektronik publik dhe përdorimit të shërbimeve telefonike të vlefshme për publikun;
c) pagesa të shtrira në kohë për tarifën e lidhjes në rrjetin e komunikimit elektronik publik;
ç) këshilla për tarifat, ku pajtimtarët mund të kërkojnë që sipërmarrësi t’i informojë për tarifa të tjera alternative me kosto më të ulët, nëse janë të disponueshme;
d) mundësinë e kontrollit të shpenzimeve të komunikimeve, duke përfshirë njoftimin paralajmërues pa pagesë të pajtimtarit, në rastin kur këto shpenzime janë shumë më të larta se shpenzimet normale të tij;
dh) mundësinë e verifikimit dhe të kontrollit të shpenzimeve të kryera nga përdorimi i rrjetit publik të komunikimeve nga një vendndodhje fikse dhe/ose shërbimet telefonike të disponueshme për publikun.».
Neni 14
Në nenin 29, pika 1 riformulohet si më poshtë:
«1. Ofruesit e shërbimit universal kanë të drejtë të kërkojnë kompensim, nëse ofrimi i shërbimit, sipas neneve 25/1 deri në 25/4 dhe nenit 27 pika 3 të këtij ligji, përbëjnë një ngarkesë të padrejtë dhe krijojnë kosto shtesë. Nëse AKEP-i arrin në përfundimin se ofrimi i këtyre shërbimeve mund të përbëjë një ngarkesë të padrejtë për sipërmarrësin/it e përcaktuar për ofrimin e shërbimit universal, AKEP-i llogarit koston neto për ofrimin e këtij shërbimi.».
Neni 15
Në nenin 34, pas pikës 4 shtohet pika 5 me këtë përmbajtje:
«5. Detyrimet e vendosura në përputhje me këtë nen bazohen në natyrën e problemit të identifikuar dhe duhet të jenë proporcionale e të justifikuara nga pikëpamja e objektivave rregullatore të vendosura në nenin 7 të këtij ligji.».
Neni 16
Në nenin 42 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 2, shkronjat «a» dhe «g» ndryshohen si më poshtë:
«a) t’u ofrojë palëve të treta akses në elemente të veçanta të rrjetit dhe/ose faciliteteve, duke përfshirë akses në elemente të rrjetit, të cilat nuk janë aktive dhe/ose akses të hapur në qarkun lokal,
duke lejuar, ndërmjet të tjerash, zgjedhjen dhe/ose parazgjedhjen e bartësit dhe/ose ofertat e rishitjes së linjës së pajtimtarit;».
«g) të ofrojë akses në shërbimet shoqëruese.».
2. Në pikën 3, në fund të shkronjës «a» shtohen fjalët «përfshirë mundësinë e aksesit në produkte të tjera të një niveli më të lartë, si aksesin në tubacione.».
Neni 17
Në nenin 47 pika 1 bëhen ndryshimet si më poshtë:
a) Fjalët «kundrejt pagesës» hiqen.
b) Fjalët «nga data e marrjes së saj» zëvendësohen me fjalët «nga data e marrjes së një kërkese».
Neni 18
Në nenin 49 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Pika 2 ndryshohet si më poshtë:
«2. Pavarësisht nga masat që mund të merren ndaj sipërmarrësve me fuqi të ndjeshme në treg, në përputhje me nenin 34 të këtij ligji, AKEP-i vendos:
a) ndaj sipërmarrësve, të cilët kontrollojnë aksesin te përdoruesit fundorë, detyrimin në masën e duhur, për të siguruar lidhjen pikë fundore – pikë fundore, duke përfshirë, në rastet e justifikuara, detyrimin për të interkonektuar rrjetet e tyre në mungesë të këtij interkoneksioni;
b) në rastet e justifikuara dhe në masën e duhur, detyrimin ndaj sipërmarrësve, të cilët kontrollojnë aksesin te përdoruesit fundorë për të mundësuar ndërveprueshmërinë e këtyre shërbimeve.».
2. Pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4 me këtë përmbajtje:
«3. Detyrimet dhe kushtet e vendosura në përputhje me pikat 1 dhe 2 të këtij neni duhet të jenë objektive, transparente, proporcionale dhe jodiskriminuese, si dhe të vendosura pas konsultimit publik, në përputhje me nenin 110 të këtij ligji.
4. AKEP-i ndërhyn me nismën e tij, kur është e justifikuar, në përputhje me objektivat e nenit 7 të këtij ligji ose me kërkesë të cilësdo palë, në përputhje me nenet 50 dhe 60 të këtij ligji.».
Neni 19
Në nenin 52 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet si më poshtë:
a) Fjala «publikon» zëvendësohet me fjalët «paraqet për miratim në AKEP».
b) Në fund të pikës shtohen fjalitë me këtë përmbajtje:
«Jo më vonë se 90 ditë nga paraqitja e ofertës së referencës, AKEP-i e miraton atë ose imponon ndryshime, sipas pikës 3 të këtij neni. Në rast se brenda këtij afati AKEP-i nuk shprehet, miratimi konsiderohet i dhënë.».
2. Në pikën 4, fjala «urdhri» zëvendësohet me fjalën «vendimi».
3. Në paragrafin I pika 7 bëhen këto ndryshime:
a) Në shkronjën «a» bëhen ndryshimet si më poshtë:
i) Në nënshkronjat «i» dhe «ii», pas fjalës «akses» shtohet fjala «i hapur».
ii) Pas nënshkronjës «ii» shtohet nënshkronja «iii» me këtë përmbajtje:
«iii) kur është e përshtatshme akses në tubacione për të mundësuar shtrirjen e rrjeteve të aksesit.».
b) Shkronja «b» ndryshohet si më poshtë:
«b) informacioni për vendndodhjet e aksesit fizik, duke përfshirë kabinetet dhe permutatorët, disponueshmërinë e rrjeteve lokale, nënlokale dhe rrjeteve mbështetëse në pjesë të veçanta të aksesit në rrjet dhe, kur është e nevojshme, informacion lidhur me vendndodhjet e tubacioneve dhe disponueshmërinë brenda tubacioneve;».
c) Në shkronjën «c», në fund të fjalisë shtohen fjalët:
«dhe/ose fibrave optike, dhe/ose të ngjashme, shpërndarësve të kabllove apo faciliteteve shoqëruese dhe, kur është e nevojshme, kushtet teknike lidhur me aksesin në tubacione.».
4. Në paragrafin II pika 7, shkronja «a» ndryshohet si më poshtë:
«a) informacion për vendndodhjen ekzistuese të godinave apo pajisjeve përkatëse të sipërmarrësit me fuqi të ndjeshme në treg ose vendndodhjen e pajisjeve dhe planet për përditësimin e tyre;».
Neni 20
Në nenin 60 bëhen këto ndryshime:
1. Kudo në nen, fjala «urdhri» zëvendësohet me fjalën «vendimi».
2. Në pikën 1, fjala «urdhëron» zëvendësohet me fjalët «merr vendim për».
Neni 21
Në nenin 62 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 3 shkronja «b», fjalët «për transmetimet radiodifuzive (radio dhe televizive)» zëvendësohen me fjalët «për transmetimet radio dhe televizive».
2. Pika 4 ndryshohet si më poshtë:
«4. Për përdorimin e frekuencave, përdoruesit civilë paguajnë një tarifë, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për taksat në Republikën e Shqipërisë. Niveli i tarifës do të reflektojë nevojën për të garantuar një përdorim optimal të radiofrekuencave, si një burim i fundëm dhe duhet justifikuar në mënyrë objektive, transparente, jodiskriminuese e proporcionale në raport me qëllimin e tyre.».
3. Pas pikës 4 shtohen pikat 5 deri në 12 me këtë përmbajtje:
«5. Administrimi i spektrit duhet të sigurojë që të gjitha llojet e teknologjisë së përdorur për shërbimet e komunikimeve elektronike dhe të gjitha llojet e shërbimeve të komunikimeve elektronike mund të përdoren në brezat e radio frekuencave të përcaktuara në Planin Kombëtar të Frekuencave, të vlefshme për shërbimet e komunikimeve elektronike.
6. Pavarësisht nga sa përcaktohet në pikën 5 të këtij neni, Plani Kombëtar i Frekuencave dhe Plani për Përdorimin e Frekuencave mund të parashikojnë kufizime proporcionale dhe jodiskriminuese për llojet e rrjeteve radio ose teknologjisë së aksesit pa tela, të përdorur për shërbimet e komunikimeve elektronike, kur kjo është e nevojshme:
a) për të parandaluar interferencat e dëmshme;
b) për të mbrojtur shëndetin publik nga fushat elektromagnetike;
c) për të siguruar cilësinë teknike të shërbimit;
ç) për të siguruar maksimizimin e përdorimit të frekuencave që bashkëpërdoren;
d) për ruajtjen dhe përdorimin efikas të spektrit; ose
dh) për të siguruar përmbushjen e objektivave me interes të përgjithshëm, në përputhje me pikën 7 të këtij neni.
7. Pavarësisht nga sa përcaktohet në pikën 5 të këtij neni, Plani Kombëtar i Frekuencave dhe Plani për Përdorimin e Frekuencave mund të parashikojnë kufizime proporcionale dhe jodiskriminuese për llojet e shërbimeve të komunikimeve elektronike, të cilat do të ofrohen kur kjo është e nevojshme, për të siguruar përmbushjen e objektivave me interes të përgjithshëm, siç janë:
a) përmbushja e kërkesave të Radio Rregulloreve të Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU);
b) siguria për jetën;
c) promovimi i një bashkëveprimi social, rajonal ose territorial;
ç) parandalimi i përdorimit joefikas të radiofrekuencave; ose
d) promovimi i larmisë kulturore, gjuhësore dhe shumëllojshmërisë së mediave, për shembull, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve të transmetimeve radiotelevizive.
8. Përcaktimet e pikës 5 të këtij neni zbatohen për frekuencat që do të caktohen me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
9. Për një periudhë pesëvjeçare nga hyrja në fuqi e këtij ligji, AKEP-i mund të lejojë mbajtësit e autorizimeve individuale për frekuencat e dhëna para hyrjes në fuqi të këtij ligji, të paraqesin aplikim pranë AKEP-it për rivlerësimin e kufizimeve, sipas pikës 5 të këtij neni.
10. AKEP-i njofton, me shkrim, mbajtësin e autorizimit individual që ka aplikuar, sipas pikës 9 të këtij neni, për vendimin e rivlerësimit të kufizimeve, në një afat të arsyeshëm kohor, por jo më vonë se 60 ditë nga aplikimi. Mbajtësi i autorizimit individual ka të drejtë të tërhiqet, me shkrim, nga kërkesa për rishikimin e kufizimeve brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit të AKEP-it. Në rast se mbajtësi i autorizimit individual nuk tërhiqet, me shkrim, brenda 30 ditëve nga kërkesa për rishikimin e kufizimeve, atëherë vendimi i AKEP-it bëhet i detyrueshëm për mbajtësin e autorizimit individual.
11. Pas periudhës pesëvjeçare nga hyrja në fuqi e këtij ligji, AKEP-i merr masat për rivlerësimin e të gjitha autorizimeve të mbetura, në përputhje me kërkesat e pikës 5 të këtij neni.
12. Në zbatimin e kërkesave të këtij neni AKEP-i siguron konkurrencën e ndershme. Rivlerësimi i autorizimeve, sipas kërkesave të këtij neni, nuk do të thotë dhënie e një autorizimi të ri.».
Neni 22
Neni 66 ndryshohet si më poshtë:
«Neni 66.- Dhënia në përdorim e frekuencave
Në përcaktimin e frekuencave që mund të përdoren, sipas autorizimit të përgjithshëm dhe në lëshimin e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave, AKEP-i mban parasysh që frekuencat janë një pasuri kombëtare me vlerë ekonomike dhe rëndësi sociale e kulturore. Dhënia në përdorim e frekuencave nga AKEP-i bëhet në bazë të parimit të objektivitetit, transparencës, proporcionalitetit e mosdiskriminimit, duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, radiorregulloret e ITU-së dhe në përputhje me objektivat rregullatorë të përcaktuar në nenin 7 të këtij ligji.».
Neni 23
Në nenin 67, pika 1 riformulohet si më poshtë:
«1. Kur përdorimi i radio frekuencave nuk është subjekt i autorizimit të përgjithshëm, sipas pikës 5 të nenit 65 të këtij ligji, apo subjekt i një konkurrimi publik, sipas neneve 68 e 69 të këtij ligji, AKEP-i lëshon autorizime individuale, sipas procedurave të përcaktuara në këtë nen. Nëse AKEP-i merr aplikime të ndryshme për autorizime individuale në të njëjtin brez frekuencash, i shqyrton ato sipas radhës së paraqitjes së tyre.».
Neni 24
Neni 68 ndryshohet si më poshtë:
«Neni 68.- Marrja e mendimeve të palëve të interesuara
1. Nëse AKEP-i, në bazë të vlerësimit të tregut, konsideron se interesi për brezin e kërkuar të frekuencave mund të tejkalojë disponueshmërinë e frekuencave në këtë brez, si dhe për garantimin e një përdorimi efektiv të tyre, ai zhvillon një proces këshillimi publik me palët e interesuara, lidhur me kushtet e përdorimit të këtij brezi frekuencash dhe procedurën që mendohet të zbatohet për dhënien në përdorim të tyre.
2. AKEP-i është i detyruar të kryejë procesin e këshillimit publik me paraqitjen e një kërkese, nga çdo palë e interesuar për frekuenca specifike, jo më vonë se 30 ditë pas paraqitjes së kërkesës. AKEP-i fillon procesin e këshillimit publik për frekuenca specifike, subjekt i mundshëm i të drejtave të kufizuara, edhe me kërkesë të ministrit.
3. Njoftimi për këshillim publik përmban të dhëna për frekuencat që do të caktohen, numrin e pritshëm të të drejtave të përdorimit që do të jepen, kushtet që mendohet të vendosen për këto të drejta përdorimi, kërkesën që palët e interesuara të shprehin mendimin e tyre për vlerën e tregut të frekuencave dhe të gjitha çështjet, për të cilat AKEP-i është i interesuar të marrë opinionin e palëve të interesuara. Afati i paraqitjes së mendimeve, në çdo rast, nuk do të jetë më pak se 30 ditë.
4. AKEP-i është i detyruar të respektojë konfidencialitetin e propozimeve të mundshme të bëra nga palët e interesuara për vlerën e tregut për këto frekuenca.
5. Brenda 30 ditëve pas afatit përfundimtar të paraqitjes së mendimeve të palëve të interesuara në procesin e këshillimit publik, AKEP-i publikon mendimet e tyre dhe qëndrimin e tij për çështjet e ngritura.
6. AKEP-i, mbështetur në përfundimet e tij, sipas pikës 5 të këtij neni, jo më vonë se 30 ditë nga përfundimi i këshillimit publik, i propozon ministrit kufizimin ose jo të të drejtave të përdorimit të frekuencave, procedurën e konkurrimit publik, në përputhje me dispozitat ligjore e nënligjore për këtë qëllim, numrin e autorizimeve individuale, kriteret e vlerësimit dhe çmimin minimal për dhënien e tyre, duke konsideruar zhvillimin e konkurrencës, interesin publik dhe mbrojtjen e konsumatorit, rrethanat e tregut dhe përdorimin efektiv të frekuencave.
7. Ministri, jo më vonë se 30 ditë pas marrjes së propozimit të AKEP-it, sipas pikës 6 të këtij neni, miraton numrin e autorizimeve individuale, vlerën minimale për dhënien e tyre dhe nxjerr urdhër për fillimin e konkurrimit publik, sipas nenit 69 të këtij ligji. Në çdo rast, vendimi për kufizimin e të drejtave të përdorimit duhet të jetë i arsyetuar.
8. Kur në përfundim të procesit të këshillimit të kryer, sipas këtij neni, kufizimi i numrit të autorizimeve individuale nuk është i nevojshëm dhe nëse kjo nuk është në kundërshtim me interesin e përdoruesve ose me interesin e zhvillimit të konkurrencës ekonomike, AKEP-i vijon procesin me dhënien e autorizimit individual, sipas nenit 67 të këtij ligji, pasi të marrë miratimin e ministrit për vijimin e procedurës dhe vlerën minimale të dhënies në përdorim të frekuencave.
9. Fituesi i së drejtës për përdorimin e frekuencave, që jepen me procedurën e konkurrimit publik, sipas nenit 69 të këtij ligji, kryen një pagesë për frekuencat në vlerën e arritur në procesin e konkurrimit, e cila derdhet në Buxhetin e Shtetit.».
Neni 25
Në nenin 69 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i nenit bëhet «Procedura e konkurrimit publik».
2. Në pikën 1 fjalia e parë ndryshohet si më poshtë:
«1. Jo më vonë se 15 ditë pas miratimit të ministrit, sipas pikës 7 të nenit 68 të këtij ligji, AKEP-i zhvillon procedurën e konkurrimit publik për të dhënë autorizime individuale për një numër të kufizuar të drejtash për përdorimin e frekuencave, sipas rregullave të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit, për procedurën përkatëse.».
Neni 26
Në nenin 72, në fund të pikës 1 shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
«Kohëzgjatja do të jetë e përshtatshme për shërbimin e ofruar në këndvështrim të objektivit të caktuar, duke marrë parasysh nevojën për të lejuar një periudhë të përshtatshme për kthimin e investimit.».
Neni 27
Në nenin 73, në fund të pikës 3 shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
«Në rastin e autorizimeve individuale për përdorimin e frekuencave të dhëna me konkurrim, rregullat dhe procedurat e rinovimit miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.».
Neni 28
Në nenin 75, pika 3 shfuqizohet.
Neni 29
Në nenin 77, në fillim të pikës 2 shtohen fjalët «Në rastet e parashikuara në shkronjat «b» dhe «c» të pikës 1 të këtij neni,».
Neni 30
Në nenin 79, pika 3 ndryshohet si më poshtë:
«3. Rregullat teknike për kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të pajisjeve radio dhe fundore të telekomunikacioneve miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.».
Neni 31
Në nenin 82, në fund të pikës 1 shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
«AKEP-i vendos për këto aplikime brenda jo më shumë se tri javëve.».
Neni 32
Në nenin 87 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 2 ndryshohet si më poshtë:
«2. Parashikimi i pikës 1 të këtij neni zbatohet për të gjithë numrat e Planit të Numeracionit. AKEP-i mund të përcaktojë seri numrash, të cilat nuk janë subjekt i mbartjes së numrit.».
2. Në pikën 5, fjala «gjeografik» zëvendësohet me fjalën «jogjeografik».
3. Në pikën 6 hiqen fjalët «pajtimtarët e tyre ose».
4. Pas pikës 7 shtohen pikat 8, 9 e 10 me këtë përmbajtje:
«8. Në rastet e parashikuara në pikën 4 të nenit 56 të këtij ligji, AKEP-i nuk imponon tarifa të pakicës për mbartjen e numrave, përmes caktimit të një tarife të përbashkët ose specifike për përdoruesit fundorë që mund të deformojnë konkurrencën.
9. Mbartja e numrave dhe aktivizimi i tyre bëhen brenda një afati sa më të shkurtër kohor. Në rastet kur pajtimtari ka lidhur kontratë për mbartjen e numrit te një sipërmarrës i ri, aktivizimi i numrit bëhet brenda një dite pune. Në çdo rast ndërprerja e shërbimit gjatë procesit të mbartjes nuk do të jetë më e gjatë se një ditë.
10. AKEP-i mund të parashikojë, në rregullore, përjashtime nga parimi i përcaktuar në pikën 9 të këtij neni, në raste të justifikuara dhe kur është e nevojshme, në lidhje me procese të veçanta për mbartjen e shumë numrave në të njëjtën kohë.».
Neni 33
Në nenin 96, fjalët «rrjetin e brendshëm telefonik» zëvendësohen me fjalët «infrastrukturën për rrjetin e brendshëm të komunikimeve elektronike».
Neni 34
Neni 98 ndryshohet si më poshtë:
«Neni 98.- Transparenca dhe publikimi i informacionit
1. Sipërmarrësit e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike dhe/ose shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun publikojnë informacion transparent, të krahasueshëm, të përshtatshëm dhe të përditësuar për tarifat dhe çmimet e aplikuara, çdo detyrim në përfundimin e kontratës, si dhe kushtet e përgjithshme për aksesin e përdorimin e shërbimeve të ofruara nga ata për përdoruesit fundorë, në përputhje me pikën 2 të këtij neni. Ky informacion publikohet në mënyrë të qartë, gjithëpërfshirëse dhe lehtësisht të aksesueshme. AKEP-i mund të përcaktojë, me rregullore, kërkesat shtesë lidhur me formën në të cilën këto informacione do të publikohen.
2. AKEP-i mund të vendosë, nëpërmjet një rregulloreje, se çfarë informacioni publikohet nga sipërmarrësi, i cili ofron rrjete të komunikimit publik dhe/ose shërbime telefonike të disponueshme për publikun dhe çfarë informacioni publikohet nga vetë AKEP-i për të garantuar që konsumatorët mund të marrin vendime të mirinformuar.
AKEP-i garanton që publikohet informacioni i mëposhtëm:
a) emrat dhe adresat e sipërmarrësve, të cilët ofrojnë rrjete të komunikimeve publike dhe/ose shërbime telefonike të disponueshme për publikun;
b) fushëveprimi i shërbimit të ofruar dhe gatishmëria gjeografike e shërbimeve;
c) tarifat standarde, të cilat tregojnë shërbimet e ofruara dhe përmbajtjen e secilit element të tarifave (p.sh. detyrimet për akses, të gjitha llojet e detyrimeve për përdorimin, detyrimet për mirëmbajtje), duke përfshirë detajet e zbritjeve standarde të aplikuara, planet tarifore speciale e të orientuara, çdo detyrim shtesë, si dhe kostot lidhur me pajisjet fundore;
ç) politika e kompensimit/rimbursimit, përfshirë hollësitë specifike të çdo plani të ofruar për kompensim/rimbursim;
d) llojet e ofruara të shërbimit të mirëmbajtjes;
dh) kushtet e përgjithshme, duke përfshirë periudhën minimale kontraktuale, përfundimin e kontratës, procedurat dhe detyrimet e drejtpërdrejta të lidhura me portabilitetin e numrit dhe tregues të tjerë, nëse janë me rëndësi;
e) mekanizmat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, përfshirë ato të zhvilluara nga sipërmarrësit;
ë) informacion për të drejtat lidhur me shërbimin universal, duke përfshirë, nëse është e përshtatshme, facilitetet dhe shërbimet e përmendura pikën 6 të nenit 27 të këtij ligji.
3. AKEP-i inkurajon ofrimin e informacioneve krahasuese për t’u mundësuar përdoruesve fundorë dhe konsumatorëve të bëjnë një vlerësim të pavarur të kostos së përdorimit të modeleve alternative, për shembull, duke përdorur një guidë interaktive ose teknika të ngjashme. Kur këto facilitete nuk janë të disponueshme pa pagesë ose me çmim të arsyeshëm në treg, AKEP-i do t’i vërë vetë në dispozicion këto guida ose teknika. Palët e treta mund të përdorin, pa pagesë, informacionin e publikuar nga sipërmarrësit që ofrojnë rrjete të komunikimeve elektronike dhe/ose shërbime të komunikimeve elektronike të vlefshme për publikun, me qëllim të shitjes ose vënies në dispozicion të këtyre guidave ose teknikave të ngjashme.
4. AKEP-i mund të detyrojë sipërmarrësit, të cilët ofrojnë rrjete të komunikimeve elektronike dhe/ose shërbime të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, ndërmjet të tjerash:
a) t’u ofrojnë pajtimtarëve informacion për tarifat e aplikueshme për çdo numër ose shërbim, subjekt i kushteve të veçanta të tarifimit. Lidhur me kategoritë individuale të shërbimeve, AKEP-i mund të kërkojë që ky informacion të ofrohet menjëherë para lidhjes së thirrjes;
b) të informojnë pajtimtarët për çdo ndryshim të aksesit në shërbime të emergjencës ose të informacionit për vendndodhjen e numrit thirrës në shërbimin ku janë pajtuar;
c) të informojnë pajtimtarët për çdo ndryshim të kushteve që kufizojnë aksesin në, dhe/ose përdorimin e shërbimeve dhe aplikimeve dhe ku këto shërbime janë të lejueshme sipas ligjeve në fuqi;
ç) të ofrojnë informacion për çdo procedurë të vendosur nga ofruesi, në mënyrë që të masë dhe drejtojë trafikun, për të evituar ngarkesën ose mbingarkesën e lidhjeve të rrjetit dhe si këto procedura mund të ndikojnë në cilësinë e shërbimit;
d) të informojnë pajtimtarët për të drejtën e tyre për të vendosur për të përfshirë ose jo të dhënat e tyre personale në numërator, si dhe për llojin e të dhënave, në përputhje me nenin 104 të këtij ligji;
dh) të informojnë rregullisht pajtimtarët me aftësi të kufizuara për detajet e produkteve dhe shërbimeve të projektuara për ata.
5. Sipërmarrësit e shërbimeve publike të komunikimeve duhet të publikojnë në faqen e tyre të internetit kushtet e përgjithshme të kontratave tip dhe t’ia paraqesin ato AKEP-it për vlerësim, të paktën, 15 ditë para publikimit.».
Neni 35
Në nenin 99 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 1 bëhen këto ndryshime:
a) Shkronja «c» ndryshohet si më poshtë:
«c) shërbimet e ofruara, cilësinë e shërbimit të ofruar, si dhe kohën për lidhjen fillestare, duke përfshirë:
i) nëse ofrohet aksesi në shërbimet e emergjencës dhe informacioni për vendndodhjen e numrit thirrës dhe çdo kufizim në ofrimin e shërbimeve të emergjencës;
ii) informacion për çdo kusht tjetër që kufizon aksesin në, dhe/ose përdorimin e shërbimeve dhe aplikimeve, ku këto kushte lejohen, sipas këtij ligji;
iii) informacion për çdo procedurë të vendosur nga sipërmarrësi për të matur dhe drejtuar trafikun, në mënyrë që të evitohet ngarkesa ose mbingarkesa e lidhjeve të rrjetit dhe si këto procedura mund të ndikojnë në cilësinë e shërbimit;
iv) çdo kufizim të vendosur nga ofruesi për përdorimin e pajisjeve fundore të ofruara;
v) nivelet minimale të cilësisë së shërbimit të ofruar si koha për lidhje fillestare dhe, kur është e përshtatshme, dhe cilësia e parametra të tjerë, siç përcaktohen nga AKEP-i;».
b) Shkronja «dh» riformulohet si më poshtë:
«dh) një informacion për hyrjen në fuqi, kohëzgjatjen e kontratës së pajtimtarit, kushtet për shtyrjen dhe përfundimin e kontratës dhe të ofrimit të shërbimeve, duke përfshirë:
i) çdo minimum të përdorimit ose kohëzgjatjes së nevojshme për të përfituar nga kushtet e ofruara promocionale;
ii) çdo detyrim lidhur me mbartjen e numrit dhe tregues të tjerë;
iii) çdo detyrim të papaguar me përfundimin e kontratës, duke përfshirë çdo rimbursim të kostos në lidhje me pajisjet fundore;».
c) Pas shkronjës «gj» shtohet shkronja «h» me këtë përmbajtje:
«h) llojin e veprimit që mund të ndërmerret nga sipërmarrësi si kundërveprim ndaj incidenteve të sigurisë ose integritetit apo për shkak të kërcënimeve dhe cenimeve.».
2. Pikat 3, 4 e 5 ndryshohen si më poshtë:
«3. Pajtimtarët kanë të drejtë të tërhiqen nga kontrata pa penalitet përkundrejt njoftimit të modifikimit të kushteve kontraktore të propozuara nga sipërmarrësi që ofron rrjete të komunikimit elektronik dhe/ose shërbime. Pajtimtarëve u jepet njoftimi i përshtatshëm, jo më pak se 30 ditë përpara për çdo modifikim dhe informohen në të njëjtën kohë për të drejtën e tyre për t’u tërhequr pa penalitet nga kontrata, nëse ata nuk i pranojnë kushtet e reja. AKEP-i mund të përcaktojë, nëpërmjet një rregulloreje, formatin e këtyre njoftimeve.
Përfundimi i kontratës, për shkak të mospranimit të ndryshimeve, nuk e shmang pajtimarin nga përmbushja e detyrimeve bazë të kontratës së mëparshme.
4. Kontratat e lidhura ndërmjet konsumatorëve dhe sipërmarrësve të shërbimeve të komunikimeve elektronike nuk duhet të detyrojnë lidhjen e kontratës me një afat fillestar prej më shumë se 24 muaj. Sipërmarrësit kanë detyrimin t’u ofrojnë përdoruesve mundësinë e lidhjes së kontratës me afat maksimal 12 muaj. Pavarësisht nga kohëzgjatja minimale e kontratës, kushtet dhe procedurat për përfundimin e kontratës nuk duhet të pengojnë/dekurajojnë pajtimtarin për ndryshimin e ofruesit të shërbimit.
5. Kontrata e pajtimit, që lidhet ndërmjet sipërmarrësit dhe pajtimtarit, bazohet në parimin e barazisë mes palëve. Ajo hartohet nga sipërmarrësit mbi bazën e legjislacionit në fuqi dhe rregullave të nxjerra nga AKEP-i në zbatim të këtij ligji. Një kopje tip e saj, si dhe çdo ndryshim i mëvonshëm që mund të pësojë, i dërgohet AKEP-it 15 ditë përpara hyrjes në fuqi të tyre. AKEP-i ka të drejtë të përcaktojë rregulla shtesë, si dhe të imponojë ndryshime, kur kontratat e pajtimit nuk janë në përputhje me ligjin dhe aktet normative të nxjerra për këtë qëllim, pas kryerjes së një procesi konsultimi, sipas nenit 110 të këtij ligji.».
Neni 36
Neni 101 ndryshohet si më poshtë:
«Neni 101.- Ruajtja dhe administrimi i të dhënave për qëllime të ndjekjes penale
1. Pavarësisht përcaktimeve të tjera në këtë ligj, sipërmarrësit e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike detyrohen të ruajnë dhe të administrojnë, për një afat 2-vjeçar, skedarët e të dhënave për pajtimtarët e tyre.
2. Skedarët duhet të përmbajnë të dhëna në lidhje me komunikimin zanor dhe me SMS/MMS, që mundësojnë:
a) identifikimin e pajtimtarëve, duke siguruar marrjen dhe regjistrimin e identitetit të plotë të tyre;
b) identifikimin e pajisjes fundore, të përdorur gjatë komunikimeve;
c) përcaktimin e vendndodhjes, datës, kohës, kohëzgjatjes së komunikimit dhe numrit të thirrur dhe thirrës, përfshirë të dhënat për thirrjet pa përgjigje.
3. Në rastin e komunikimeve në internet, skedari duhet të përmbajë:
a) të dhëna të nevojshme për ndjekjen dhe identifikimin e burimit/origjinimit të komunikimit:
i) identitetin e pajtimtarit (user ID) të caktuar;
ii) identitetin e pajtimtarit (user ID) dhe numrin e telefonit të caktuar për komunikimet që hyjnë në rrjetin publik telefonik;
iii) emrin dhe adresën e pajtimtarit ose përdoruesit të regjistruar, të cilit i është caktuar një adresë IP, identitetin e përdoruesit (user ID), ose numër telefoni i caktuar gjatë kohës së komunikimit;
b) të dhëna të nevojshme për identifikimin e destinacionit të komunikimit:
i) në rastin e telefonisë në internet, identitetin e përdoruesit (user ID) ose numrin e telefonit të numrit të thirrur;
ii) në rastin e postës elektronike ose telefonisë në internet, emrin dhe adresën e pajtimtarit ose përdoruesit të regjistruar dhe identitetin e përdoruesit (user ID) të marrësit të synuar të komunikimit;
c) të dhëna të nevojshme për identifikimin e datës, kohës dhe kohëzgjatjes së komunikimit:
i) datën dhe orën e lidhjes (log in) dhe shkëputjes (log off) të shërbimit të aksesit në internet, sipas orës lokale;
ii) adresën IP, duke përcaktuar nëse është dinamike apo statike, të caktuar nga ofruesi i shërbimit internet;
iii) identitetin e pajtimtarit ose përdoruesit të regjistruar të shërbimit të aksesit internet.
4. Detyrimi për ruajtjen e të dhënave për thirrjet pa përgjigje, sipas shkonjës «c» të pikës 2, për komunikimet zanore, si dhe detyrimi për të dhënat, sipas nënshkronjës «i» të shkronjës «c» të pikës 3 të
këtij neni, për komunikimet në internet, zbatohet për aq sa këto të dhëna krijohen ose përpunohen dhe ruhen nga ofruesi i shërbimeve dhe/ose rrjeteve publike të komunikimeve elektronike, brenda juridiksionit të tyre gjatë ofrimit të shërbimeve të komunikimeve prej tyre.
5. Të dhënat në këta skedarë ruhen sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
6. Këta skedarë duhet t’u vihen në dispozicion pa vonesë, edhe në formë elektronike, autoriteteve që përcakton Kodi i Procedurës Penale, në bazë të kërkesës së tyre.».
Neni 37
Pas nenit 101 shtohet neni 101/1 me këtë përmbajtje:
«Neni 101/1.- Shkatërrimi i të dhënave të ruajtura
Operatorët e rrjeteve dhe shërbimeve publike të komunikimeve elektronike janë të detyruar të shkatërrojnë të dhënat e ruajtura, në përfundim të afatit të ruajtjes, kur nuk është parashikuar ndryshe në legjislacionin në fuqi.».
Neni 38
Në nenin 102, në fund të pikës 1 shtohen fjalët «dhe për masat e marra për të garantuar akses të barabartë për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara.».
Neni 39
Pas nenit 102 shtohet neni 102/1 me këtë përmbajtje:
«Neni 102/1.- Garantimi i aksesit të barabartë dhe mundësisë së zgjedhjes për përdoruesit me aftësi të kufizuara
1. AKEP-i, kur është e përshtatshme, përcakton nëpërmjet një rregulloreje kërkesat që duhet të plotësohen nga sipërmarrësit që ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun, për të garantuar që përdoruesit me aftësi të kufizuara:
a) kanë akses në shërbime të komunikimeve elektronike të barabartë me atë të përdorur nga shumica e përdoruesve fundorë;
b) përfitojnë nga zgjedhja e sipërmarrësve dhe shërbimeve në dispozicion të shumicës së përdoruesve fundorë.
2. Në mënyrë që të miratojë dhe implementojë masat e veçanta për përdoruesit fundorë me aftësi të kufizuara, AKEP-i inkurajon disponueshmërinë e pajisjeve fundore, të cilat ofrojnë shërbimet dhe funksionet e nevojshme për këta përdorues.».
Neni 40
Neni 103 shfuqizohet.
Neni 41
Në nenin 104 bëhen këto ndryshime:
1. Pikat 2 dhe 3 ndryshohen si më poshtë:
«2. Sipërmarrësit që ofrojnë shërbime telefonike të disponueshme për publikun janë të detyruar:
a) të informojnë, pa pagesë, të gjithë pajtimtarët para se ata të përfshihen në një numërator telefonik publik, për qëllimin e numëratorit dhe funksionet e disponueshme të kërkimit të informacionit;
b) t’u ofrojnë të gjithë pajtimtarëve, pa pagesë, mundësinë për të vendosur nëse të dhënat e tyre personale mund të përfshihen në një numërator publik, për të përzgjedhur të dhënat që nuk dëshirojnë të përfshihen dhe mundësinë për të verifikuar dhe korrigjuar këto të dhëna;
c) t’u ofrojnë të gjithë pajtimtarëve, pa pagesë, mundësinë e mospërfshirjes së të dhënave të tyre personale ose heqjes së të dhënave nga një numërator telefonik.
3. Sipërmarrësit janë të detyruar të marrin pëlqimin paraprak të pajtimtarit në rastin e përfshirjes së tyre në numëratorin publik. Të gjithë përdoruesit fundorë të shërbimeve telefonike të disponueshme për publikun duhet të kenë akses në cilëndo rubrikë të shërbimeve të informacionit për numëratorin telefonik.».
2. Pika 4 shfuqizohet.
Neni 42
Në nenin 106 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1 bëhen ndryshimet si më poshtë:
a) Pas fjalëve «janë të detyruar t’u ofrojnë» shtohen fjalët «pa pagesë».
b) Në fund të kësaj pike shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
«Pajtimtarët, gjithashtu, kanë të drejtë të marrin faturë jo të detajuar pa pagesë. Në të dyja rastet, sipërmarrësi duhet të sigurojë dërgimin, pa pagesë, të faturës së detajuar ose jo të detajuar, në adresën e pajtimtarit, sipas opsionit të zgjedhur nga pajtimtari.».
2. Në pikën 3 shkronja «ç», fjala «orën» zëvendësohet me fjalën «kohën».
Neni 43
Neni 107 ndryshohet si më poshtë:
«Neni 107.- E drejta e ankimit
1. Mënyra dhe procedura për ankesat e pajtimtarëve përcaktohen në kushtet e kontratës të pajtimtarit.
2. Pajtimtarët kanë të drejtë të ankohen apo të kërkojnë sqarime tek operatori që ofron shërbime të komunikimeve elektronike për kushtet kontraktore dhe/ose përmbushjen e këtyre kushteve nga operatori, përfshirë faturën dhe cilësinë e shërbimit të ofruar.
3. Në rast se pajtimtari nuk është i kënaqur me sqarimet e dhëna nga operatori nëpërmjet telefonit apo njoftimeve të tjera me mjetet elektronike, ai mund të ankohet me shkrim. Ankesa duhet të paraqitet:
a) brenda 15 ditëve nga marrja e faturës për shërbimin e ofruar, nëse ankesa i referohet shumës së faturuar për shërbimin e ofruar; ose
b) brenda 15 ditëve nga ofrimi i shërbimit, nëse ankesa i referohet cilësisë së shërbimit të ofruar.
4. Pas marrjes së ankesës së referuar në pikën 2 të këtij neni, sipërmarrësi duhet të verifikojë shumën e faturuar për shërbimet e ofruara ose për cilësinë e shërbimeve të ofruara dhe, pas verifikimit, të konfirmojë shumën e faturuar ose ta korrigjojë atë. Sipërmarrësi i dorëzon pajtimtarit përgjigjen, me shkrim, jo më vonë se 15 ditë pas marrjes së ankesës nga pajtimtari.
5. Nëse pajtimtari, nuk është dakord me përgjigjen me shkrim të sipërmarrësit, pajtimtari mund të fillojë një procedurë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, sipas nenit 120/1 të këtij ligji, ose mund ta paraqesë rastin para gjykatës, sipas Kodit të Procedurës Civile.».
Neni 44
Në nenin 109, pika 3 ndryshohet si më poshtë:
«3. Sipërmarrësi është i detyruar t’i dërgojë faturën pajtimtarit me paspagim. Nëse pajtimtari nuk përmbush detyrimet kontraktore brenda afatit kohor të përcaktuar në faturë, sipërmarrësi është i detyruar t’i dërgojë pajtimtarit një njoftim me shkrim ose në një formë tjetër që është parashikuar dhe pranuar në kontratë nga pajtimtari, duke vendosur afatin kohor prej jo më pak se 15 ditëve për të përmbushur detyrimet kontraktore. Ky njoftim me shkrim duhet të informojë pajtimtarin për kushtet përkatëse kontraktore, në veçanti për kufizimin, ndërprerjen e shërbimit apo ndërprerjen e kontratës dhe procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjes. Sipërmarrësit nuk duhet të veprojnë në përputhje me pikën 1 të këtij neni para afatit kohor të përcaktuar në njoftimin me shkrim.».
Neni 45
Në nenin 110 pika 1, pas fjalëve «të cilat kanë një ndikim të ndjeshëm në tregun e komunikimeve elektronike» shtohen fjalët «ose që kanë lidhje me të drejtat e përdoruesve fundorë, në veçanti përdoruesit me aftësi të kufizuara».
Neni 46
Në nenin 114 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 4, fjalët «7 vjet» zëvendësohen me fjalët «10 vjet».
2. Në pikën 5 bëhen ndryshimet si më poshtë:
a) Fjalët «nga çdo post ose funksion zyrtar» zëvendësohen me fjalët «nga çdo post ose funksion zyrtar e partiak».
b) Në fund të kësaj pike shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
«Për këto veprime, anëtari informon me shkrim Kuvendin.».
Neni 47
Në nenin 115 pika 1, fjala «bosh» zëvendësohet me fjalët «mungesë ose vend vakant».
Neni 48
Në nenin 116 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 1, pas fjalëve «nga organi që e ka zgjedhur» shtohen fjalët «me propozim të Këshillit të Ministrave, kur:».
2. Në pikën 3 hiqen fjalët «i liruar ose».
3. Pas pikës 3 shtohet pika 4 me këtë përmbajtje:
«4. Para se të lirohet ose shkarkohet një anëtar i Këshillit Drejtues, atij i jepet mundësia për të parashtruar pretendimet e tij para komisioneve të Kuvendit. Vendimi për të liruar dhe shkarkuar kryetarin, një anëtar ose më shumë se një anëtar duhet të jetë i bazuar në ligj dhe të jetë i arsyetuar për shkaqet që çojnë në lirimin ose shkarkimin e tyre. Vendimi i Kuvendit publikohet.».
Neni 49
Në nenin 117 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, fjalët «nenet 24 dhe 119 të këtij ligji» zëvendësohen me fjalët «nenet 24, 78 dhe 86 të këtij ligji».
2. Në fund të pikës 2 shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
«Jo më vonë se tre muaj nga përfundimi i vitit financiar, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare përgatit projektbuxhetin, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Projektbuxheti i AKEP-it
propozohet për shqyrtim dhe miratim nga Këshilli i Ministrave si bashkëpropozim i ministrit me Ministrin e Financave.».
3. Në fund të pikës 3 shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
«AKEP-i zbaton rregullat e përcaktuara në ligjin Nr. 10296, datë 8.7.2010 «Për menaxhimin financiar dhe kontrollin», si dhe aktet e tjera nënligjore që rregullojnë e përcaktojnë kufijtë e përdorimit të nivelit të shpenzimeve.».
Neni 50
Në nenin 118, pika 1 riformulohet si më poshtë:
«1. Dokumentacioni i arkivuar në AKEP për veprimtarinë e sipërmarrësve të komunikimeve elektronike është i hapur për publikun, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit publik dhe legjislacionin përkatës për sekretin tregtar të biznesit.».
Neni 51
Në nenin 119, pas pikës 2 shtohen pikat 3 dhe 4 me këtë përmbajtje:
«3. Përcaktimi i pagesave për caktimin dhe përdorimin e frekuencave e të numrave bëhet në bazë të parimit të proporcionalitetit, transparencës dhe objektivitetit, duke minimizuar shpenzimet administrative shtesë dhe taksat shtesë. Në veçanti:
a) të ardhurat totale vjetore nga pagesat e përcaktuara në shkronjat «c» dhe «ç» të pikës 1 të këtij neni duhet të përputhen me koston administrative vjetore të AKEP-it për administrimin e radiofrekuencave dhe numrave;
b) ndryshimi i pagesave për breza të ndryshëm të frekuencave ose për kategoritë e ndryshme të numrave duhet të përputhet me ndryshimin në koston administrative për administrimin e këtyre brezave dhe kategoritë e ndryshme të numrave.
4. AKEP-i, në zbatim të parimit të transparencës, çdo vit publikon, në faqen e tij zyrtare, një përmbledhje të situatës financiare, duke dhënë kostot administrative/shpenzimet dhe të ardhurat totale të krijuara respektivisht nga pagesat për mbikëqyrjen e tregut, pagesat për numeracionin dhe ato për frekuencat. AKEP-i, gjithashtu, publikon bilancin financiar vjetor që depoziton në organet tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për këtë qëllim.».
Neni 52
Titulli i nenit 120 bëhet «Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet sipërmarrësve».
Neni 53
Pas nenit 120 shtohet neni 120/1 me këtë përmbajtje:
«Neni 120/1.- Zgjidhja e mosmarrëveshjeve ndërmjet pajtimtarëve dhe sipërmarrësve
1. Nëse një mosmarrëveshje mes një pajtimtari dhe një sipërmarrësi që ofron shërbime të komunikimit publik nuk mund të zgjidhet nëpërmjet procedurave për trajtimin e ankesave, sipas nenit 107 të këtij ligji, pajtimtari mund të kërkojë nga AKEP-i të zgjidhë mosmarrëveshjen.
2. Kërkesa e pajtimtarit, referuar në pikën 1 të këtij neni, paraqitet me shkrim dhe duhet të përmbajë fakte dhe prova, në të cilat është bazuar. Kërkesa duhet të paraqitet brenda 15 ditëve pasi pajtimtari të ketë marrë nga sipërmarrësi përgjigjen me shkrim, të referuar në nenin 107 pika 4 të këtij ligji.
3. AKEP-i zgjidh mosmarrëveshjet në mënyrë transparente, të shpejtë, objektive dhe jodiskriminuese brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës.
4. Sipërmarrësit që ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike duhet të marrin pjesë në procedurat për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve e të bashkëpunojnë me AKEP-in, me qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjes, dhe t’i paraqesin këtij të fundit të gjitha të dhënat e nevojshme.
5. Kur AKEP-i të ketë shqyrtuar të gjitha provat në dispozicion, i paraqet pajtimtarit dhe sipërmarrësit një rekomandim, me shkrim, si duhet zgjidhur mosmarrëveshja. Nëse të dyja palët, pajtimtari dhe sipërmarrësi, pranojnë, me shkrim, rekomandimin brenda 15 ditëve, ai bëhet i detyrueshëm. Në rast të kundërt, secila palë mund të kërkojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes në gjykatën kompetente, sipas legjislacionit në fuqi.
6. AKEP-i përcakton procedurat dhe strukturën përkatëse për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me anë të një rregulloreje. Procedura për zgjidhjen e mosmarrëveshjes pranë AKEP-it është pa pagesë.
7. Kur AKEP-i konstaton se një çështje e caktuar është subjekt i shumë kërkesave për zgjidhje të mosmarrëveshjeve me një sipërmarrës të caktuar, ekzaminon nëse procedura për trajtimin e ankesave, sipas nenit 107 të këtij ligji, zbatohet në mënyrë të duhur nga sipërmarrësi. Nëse është e nevojshme, AKEP-i detyron sipërmarrësin të përmirësojë procedurat për trajtimin e ankesave.».
Neni 54
Në nenin 122 bëhen këto ndryshime:
1. Në fund të pikës 1 shtohet fjalia me këtë përmbajtje:
«Në mënyrë të veçantë duhet të merren masa për të parandaluar dhe minimizuar ndikimin e aksidenteve të sigurisë mbi përdoruesit e rrjeteve të ndërlidhura.».
2. Në fund të pikës 2 shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
«Masat duhet që, të paktën:
a) të sigurojnë që të dhënat personale të jenë të aksesueshme vetëm nga personeli i autorizuar për qëllime ligjore të autorizuara;
b) të mbrojnë të dhënat personale të ruajtura ose të transmetuara nga aksidentet apo nga shkatërrimi i kundërligjshëm, humbja ose ndryshimi aksidental dhe ruajtja, përpunimi, aksesi apo zbulimi i paautorizuar ose i jashtëligjshëm;
c) të sigurojnë implementimin e politikave të sigurisë, lidhur me përpunimin e të dhënave personale.».
3. Pas pikës 3 shtohen pikat 4 deri në 13 me këtë përmbajtje:
«4. Në rast të cenimit të të dhënave personale, sipërmarrësi që ofron shërbime të komunikimeve elektronike të vlefshme për publikun njofton pa vonesë AKEP-in për këtë shkelje.
5. Kur një shkelje e të dhënave personale mund të ndikojë për keq në të dhënat personale dhe privatësinë e pajtimtarit ose individit, sipërmarrësi, gjithashtu, njofton pa vonesë pajtimtarin ose individin për shkeljen.
6. Nëse sipërmarrësi i ka vërtetuar AKEP-it që i ka zbatuar masat e nevojshme mbrojtëse teknologjike dhe këto masa janë aplikuar për të dhënat përkatëse, atëherë nuk kërkohet nga sipërmarrësi të njoftojë pajtimtarin ose individin për shkeljen e të dhënave personale. Këto masa mbrojtëse teknologjike i bëjnë këto të dhëna të palexueshme për çdo person që nuk ka akses të autorizuar në këto të dhëna.
7. Pa paragjykim ndaj detyrimit të sipërmarrësit për të njoftuar pajtimtarët dhe individët në fjalë, nëse sipërmarrësi nuk e ka njoftuar pajtimtarin ose individin për shkelje të të dhënave personale, AKEP-i, pasi të ketë marrë parasysh ndikimin për keq të shkeljes, mund të kërkojë që sipërmarrësi të njoftojë pajtimtarin.
8. Njoftimi i pajtimtarit ose individit përshkruan, të paktën, natyrën e shkeljes së të dhënave personale dhe personin e kontaktit ku mund të merret informacion më i detajuar, si dhe rekomandon masa për të minimizuar efektet e mundshme të këqija të shkeljes së të dhënave personale. Njoftimi për AKEP-in, përveç kësaj, përshkruan pasojat dhe masat e propozuara ose të ndërmarra nga ofruesi për shkeljen e të dhënave personale.
9. Sipërmarrësit mbajnë një inventar të shkeljeve të të dhënave personale, që përmban fakte lidhur me këto shkelje, ndikimin e tyre dhe masat e ndërmarra rregullatore, të mjaftueshme për t’u mundësuar autoriteteve kompetente kombëtare verifikimin e përputhjes me përcaktimet e pikës 3. Ky inventar përfshin vetëm informacion të nevojshëm për këtë qëllim.
10. AKEP-i mund të përcaktojë me hollësi detyrimet e pikave 1 deri në 9 të këtij neni me anë të një rregulloreje. Në veçanti AKEP-i mund të kërkojë që sipërmarrësit:
a) të ofrojnë informacion të nevojshëm për të vlerësuar sigurinë dhe/ose integritetin e shërbimeve dhe rrjeteve, duke përfshirë politika të dokumentuara të sigurisë;
b) t’i paraqesin auditit të sigurisë, të kryer nga një organ i certifikuar dhe i pavarur ose nga një autoritet kompetent, rezultatet dhe në këtë mënyrë t’i vënë ato në dispozicion të AKEP-it. Kostoja e auditit do të paguhet nga sipërmarrësi.
11. Në rast të shkeljes së sigurisë ose kur auditi i sigurisë zbulon masa jo të mjaftueshme të sigurisë, AKEP-i me një vendim i detyron sipërmarrësit të zbatojnë masat e nevojshme të sigurisë. AKEP-i mund të përcaktojë kërkesat minimale për masat që duhet të merren dhe afatet kohore për zbatimin e tyre.
12. AKEP-i mund të informojë vetë publikun ose të kërkojë nga sipërmarrësi që ta njoftojë atë, nëse vlerëson që bërja publike e kësaj shkeljeje është në interes të publikut.
13. AKEP-i mund të shkëmbejë informacion për shkeljet e sigurisë me Komisionin Europian dhe Agjencinë Europiane për Sigurinë e Rrjeteve dhe të Informacionit (ENISA), si dhe me autoritetet kompetente në vendet e tjera, në përputhje me kërkesat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave për transferimin ndërkombëtar.».
Neni 55
Në nenin 123, pika 6 ndryshohet si më poshtë:
«6. Përdorimi i rrjeteve të komunikimit elektronik për ruajtjen e të dhënave apo për marrjen e aksesit në të dhënat e ruajtura në pajisjet fundore të pajtimtarit ose të përdoruesit për përpunim të mëtejshëm lejohet vetëm në rastet kur pajtimtari ose përdoruesi në fjalë ka dhënë pëlqimin, duke i ofruar informacion të qartë dhe të kuptueshëm për qëllimin e përpunimit, sipas kërkesave të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. Kjo nuk parandalon çdo ruajtje teknike ose aksesin vetëm për qëllim të transmetimit të një komunikimi nëpërmjet një rrjeti të komunikimeve elektronike, ose kur kjo është e domosdoshme që një ofrues i shërbimit të shoqërisë së informacionit të ofrojë shërbimin e kërkuar në mënyrë të qartë nga pajtimtari.».
Neni 56
Në nenin 128 bëhen këto ndryshime:
1. Në pikën 1, pas fjalëve «vetëm pas miratimit paraprak të pajtimtarëve» shtohen fjalët «i cili mund të revokohet në çdo kohë».
2. Në pikën 2, fjalët «Ndalohet dërgimi i një mesazhi nëpërmjet postës elektronike» zëvendësohen me fjalët «Ndalohet dërgimi i një mesazhi me SMS ose nëpërmjet postës elektronike».
Neni 57
Neni 130 shfuqizohet.
Neni 58
Në nenin 135 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 1 riformulohet si më poshtë:
«1. Kur inspektorët e AKEP-it vërtetojnë se një sipërmarrës i rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike publike ose çdo person tjetër fizik a juridik, që ushtron veprimtari në fushën e komunikimeve elektronike, ka shkelur këtë ligj dhe rregulloret e miratuara:
a) i propozojnë Këshillit Drejtues të AKEP-it masën e gjobës, sipas nenit 137 pika 1 të këtij ligji, për shkeljet e parashikuara në paragrafët I deri në IV të tij, dhe masat për ndreqjen e shkeljes së konstatuar;
b) vendosin gjobë, sipas nenit 137 pika 1 të këtij ligji, për shkeljet e parashikuara në paragrafët V deri në VIII të tij dhe kërkojnë marrjen e masave për ndreqjen e shkeljes, duke vendosur një afat për realizimin e saj.».
2. Në pikën 3, fjalët «shkronjat «a» e «b» të pikës 2″ zëvendësohen me fjalët «shkronjën «a» të pikës 1 dhe shkronjat «a» e «b» të pikës 2″.
Neni 59
Në nenin 136 pika 1, fjalia e parë ndryshohet si më poshtë:
«1. Kundër gjobës së vendosur, sipas këtij ligji, bëhet ankim në Këshillin Drejtues të AKEP-it brenda 10 ditëve nga data e dhënies së saj.».
Neni 60
Në nenin 137 bëhen këto ndryshime:
1. Në paragrafin I bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Fjalia e parë ndryshohet si më poshtë:
«I. Me gjobë në vlerën nga 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) deri në 100 000 000 (njëqind milionë) lekë, për shkeljet e mëposhtme të kryera nga personi juridik:».
b) Në pikën 9, fjala «urdhër» zëvendësohet me fjalën «vendim».
c) Pas pikës 19 shtohet pika 20 me këtë përmbajtje:
«20. Nuk përmbush detyrimet për ruajtjen e të dhënave, sipas neneve 101 dhe 101/1 të këtij ligji.».
2. Paragrafi II ndryshohet si më poshtë:
«II. Me gjobë në vlerën nga 5 000 000 (pesë milionë) deri në 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, për shkeljet e cilësuara në paragrafin I të këtij neni, të kryera nga personi fizik.».
3. Në paragrafin III bëhen këto ndryshime:
a) Fjalia e parë ndryshohet si më poshtë:
«III. Me gjobë në vlerën nga 10 000 000 (dhjetë milionë) deri në 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekë, për shkeljet e mëposhtme të kryera nga personi juridik:».
b) Pika 30 ndryshohet si më poshtë:
«30. Nuk vepron në përputhje me kërkesat e nenit 128 të këtij ligji për komunikimet pa kërkesë.».
c) Pika 31 shfuqizohet.
4. Paragrafi IV ndryshohet si më poshtë:
«IV. Me gjobë në vlerën nga 1 000 000 (një milion) deri në 5 000 000 (pesë milionë) lekë për shkeljet e cilësuara në paragrafin III të këtij neni, të kryera nga personi fizik.».
5. Në paragrafin V fjalia e parë ndryshohet si më poshtë:
«V. Me gjobë në vlerën deri në 1 000 000 (një milion) lekë, për shkeljet e mëposhtme të kryera nga personi juridik:».
6. Paragrafët VI, VII e VIII ndryshohen si më poshtë:
«VI. Me gjobë në vlerën deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë, për shkeljet e cilësuara në paragrafin V të këtij neni, të kryera nga personi fizik.
VII. Me gjobë në vlerën deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë, për çdo shkelje tjetër të kryer nga personi juridik, të pacilësuar në pikat e mësipërme.
VIII. Me gjobë në vlerën deri në 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë ndaj personit fizik, për shkeljet e cilësuara në paragrafin VII të këtij neni.».
7. Pas pikës 1 shtohet pika 1/1 me këtë përmbajtje:
«1/1. Në vendosjen e gjobave, sipas këtij neni, do të merret parasysh:
a) rëndësia dhe kohëzgjatja e kundërvajtjes;
b) rrethanat e kryerjes së kundërvajtjes;
c) nëse kundërvajtësi rezulton i dënuar administrativisht edhe më parë;
ç) pasojat që kanë ardhur nga veprimi apo mosveprimi.».
Neni 61.- Dispozita të veçanta dhe kalimtare
1. AKEP-i imponon detyrime rregullatore, sipas neneve 43 e 44 të ligjit Nr. 9918, datë 19.5.2008 «Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë», për aq sa është e nevojshme për të rregulluar dështimet e tregut dhe nëse detyrimet e imponuara rregullatore për tregjet me shumicë nuk janë të mjaftueshme.
2. Procedura e konkurrimit publik, sipas nenit 69 të ligjit Nr. 9918, datë 19.5.2008 «Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë», mund të mbështetet në një këshillim publik të kryer para se amendimet e neneve 68 dhe 69 të këtij ligji të hyjnë në fuqi.
3. Detyrimi për afatin e mbartjes së numrit, sipas pikës 9 të nenit 87 të ligjit Nr. 9918, datë 19.5.2008 «Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë», shtuar me pikën 4 të nenit 32 të këtij ligji, zbatohet 12 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
4. Hyrja në fuqi e detyrimit për ruajtjen e të dhënave, të parashikuara në nenin 101 të ligjit Nr. 9918, datë 19.5.2008 «Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë», të ndryshuar me nenin 36 të këtij ligji, për shërbimin e internetit, zbatohet 12 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
5. Neni 52 i këtij ligji zbatohet 6 muaj pas hyrjes në fuqi të tij.
6. Emërimi i Kryetarit të Këshillit Drejtues dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues për mandatin e parë, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të bëhen nga Kuvendi, për kryetarin për një periudhë 5-vjeçare, për dy prej anëtarëve për një periudhë 4-vjeçare dhe për dy anëtarët e tjerë për një periudhë 3-vjeçare.
7. Vendimet e Këshillit të Ministrave, të dala në zbatim të neneve 69, 117 dhe 119 të ligjit Nr.9918, datë 19.5.2008 «Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë», mbeten në fuqi deri në daljen e vendimeve përkatëse, në përputhje me këtë ligj.
Neni 62.- Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore në zbatim të neneve 12 pika 3 dhe 27 të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për miratimin e aktit nënligjor, sipas nenit 9 të këtij ligji, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
3. Ngarkohet AKEP-i për ndryshimin dhe miratimin e rregulloreve të miratuara në zbatim të ligjit Nr. 9918, datë 19.5.2008 «Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë», në përputhje me kërkesat e këtij ligji, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e tij.
Neni 63.- Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 24.10.2012
Shpallur me dekretin Nr. 7814, datë 8.11.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani
———————————————————————————–
(1) Ky ligj është përafruar plotësisht me:
Direktivën 2009/140/KE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 25 nëntor 2009, e cila amendon Direktivën 2002/21/KE «Mbi një kuadër të përbashkët rregullator për rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike», Direktivën 2002/19/KE «Mbi aksesin dhe interkonieksionin e rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe fasiliteteve shoqëruese» dhe Direktivën 2002/20/KE «Mbi autorizimin e rrjeteve dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike», Numri CELEX: 32009L0140, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, Nr. 337, datë 18.12.2009, faqe 37 – 69.
Direktivën 2009/136/KE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 25 nëntor 2009, e cila amendon Direktivën 2002/22/KE «Mbi shërbimin universal dhe të drejtat e përdoruesve lidhur me rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike», Direktivën 2002/58/KE, lidhur me përpunimin e të dhënave personale dhe mbrojtjen e privatësisë në sektorin e Komunikimeve Elektronike, Numri CELEX: 32009L0136, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, Nr. 337, datë 18.12.2009, faqe 11–36.
Direktivën 2006/24/KE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 15 mars 2006, «Mbi mbajtjen e të dhënave të krijuara ose të përpunuara lidhur me ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike të disponueshme për publikun ose të rrjeteve të komunikimit publik» dhe që amendon Direktivën 2002/58/KE, Numri CELEX 32006L0024, Fletorja Zyrtare e Bashkimit Europian, Seria L, Nr. 105, datë 13.4.2006, faqe 54–63.