Në mbështetje të nenit 102 paragrafi 4 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të paragrafit 1 të nenit 10 dhe të pikës 1 të nenit 21 të ligjit Nr. 10273/2010 “Për dokumentin elektronik”, Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit
UDHËZON:
1. Autoriteti kompetent për lëshimin e kopjes në letër të dokumentit elektronik është institucioni, i cili krijon dokumentin elektronik, në përputhje me kërkesat e ligjit Nr. 10273/2010 “Për dokumentin elektronik”.
2. Kopja në letër e dokumentit elektronik është forma e jashtme e paraqitjes së tij.
3. Titullari i institucionit publik autorizon personin që vërteton kopjen në letër të dokumentit elektronik.
4. Kopja në letër e dokumentit elektronik ka të njëjtën vlerë ligjore me dokumentin elektronik kur realizohet në përputhje me nenin 10 të ligjit Nr. 10273/2010 “Për dokumentin elektronik” dhe këtë udhëzim.
5. Kopja në letër e vërtetuar si kopje e dokumentit elektronik duhet të përmbajë elementet e mëposhtme:
a) shënimin “Kopje e njëjtë me dokumentin elektronik”. Ky shënim duhet të jetë në çdo faqe të kopjes në letër në një vend të dukshëm e të qartë;
b) çdo faqe e kopjes në letër të dokumentit elektronik nënshkruhet nga personi i autorizuar prej titullarit të institucionit;
c) kopja në letër e dokumentit elektronik shoqërohet me një shkresë, sipas aneksit 1 (bashkëlidhur). Kjo shkresë ngjitet në mënyrë të sigurt me kopjen në letër të dokumentit elektronik;
d) mungesa e elementeve të mësipërme cenon barasvlershmërinë ligjore të kopjes në letër të dokumentit elektronik.
Tarifa dhe vlera përkatëse për shërbimet që lidhen me vërtetimin e kopjes në letër të dokumentit elektronik përcaktohet nga titullari i institucionit që lëshon dokumentin.
Kopja në letër e dokumentit elektronik trajtohet në përputhje me kërkesat e ligjit për arkivat dhe me normat tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë.
Ky udhëzim hyn në fuqi pasi botohet në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI PËR INOVACIONIN DHE TEKNOLOGJINË E INFORMACIONIT DHE KOMUNIKIMIT
Genc Pollo
Aneksi 1
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
EMËRTIMI I INSTITUCIONIT
Adresa:
Nr. Prot. Dita.muaj.viti
Lënda: Vërtetim i kopjes në letër të dokumentit elektronik
Vendndodhja
VËRTETIM
Bazuar në pikën 1 të nenit 10 të ligjit Nr. 10 273, datë 29.4.2010
“Për dokumentin elektronik” dhe udhëzimit Nr. , datë____.____2012 të Ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, me autorizimin Nr. ____, datë , lëshuar nga z/znj. (titullari i institucionit) , vërtetoj se kjo kopje në letër është:“Kopje e njëjtë me dokumentin elektronik”
Titulli/përshkrimi i dokumentit bashkëlidhur:
Numri i faqeve të dokumentit bashkëlidhur: (me numra dhe shkronja)
I autorizuar:
(Emërtimi i detyrës)
(Emri/mbiemri)
(Nënshkrimi i personit të autorizuar)
(Vula e institucionit)