Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10 të ligjit Nr. 9000, datë 30.1.2003 «Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave», të neneve 21 e 27 të ligjit Nr. 8379, datë 29.7.1998 «Për hartimin dhe zbatimin e Buxhetit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë», të ndryshuar, dhe të nenit 12 të ligjit Nr. 9645, datë 27.11.2006 «Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2007», me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I
1. Krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, si institucion juridik publik, në varësi të Ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, me seli në Tiranë.
2. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka objekt të veprimtarisë:
a) Zbatimin e politikave e të strategjive, për zhvillimin e sektorit të shoqërisë së informacionit (më poshtë SHI) dhe në veçanti të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (më poshtë TIK);
b) Bashkërendimin e programeve në fushën e SHI-së dhe në veçanti të TIK-ut;
c) Nxitjen e investimeve në fushën e SHI-së;
ç) Hartimin e praktikave për ushtrimin e kompetencave që i jepen ministrit nga legjislacioni në fushën e komunikimeve elektronike dhe postare;
d) Promovimin e teknologjive të reja në fushën e SHI-së;
dh) Dhënien e kontributit në edukimin dhe nxitjen e përdorimit të TIK-ut nga publiku.
3. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka këto detyra dhe përgjegjësi specifike:
a) Merr pjesë në hartimin e strategjisë kombëtare për zhvillimin e shoqërisë së informacionit dhe bashkërendon punën për zbatimin e saj;
b) Merr pjesë në hartimin e dokumentit të politikës së zhvillimit në fushën e komunikimeve elektronike dhe postare;
c) Merr pjesë në përgatitjen e bazës ligjore për zhvillimin e SHI-së dhe të TIK-ut;
ç) Ndihmon në hartimin e ndryshimeve dhe përmirësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor në fushën e komunikimeve elektronike dhe postare;
d) Bashkërendon reformat, programet dhe projektet në fushën e SHI-së, që zbatohen në të gjitha institucionet publike;
dh) Përcakton standardet e TIK-ut, që do të përdorin Kryeministria, ministritë dhe institucionet, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit/ministrit. Këto standarde botohen në Buletinin e Njoftimeve Publike;
e) Me qëllim zbatimin efektiv të standardeve ndërkombëtare dhe europiane, të adoptuara, dhe bashkërendimin e projekteve në fushën e TIK-së, institucionet e mësipërme, në të gjitha rastet, marrin mendimin e AKSHI-t, për:
i. Specifikimet teknike të prokurimeve, të realizuara me fonde të buxhetit të shtetit, hua dhe/ose grante të dhëna nga donatorë;
ii. Procedurat që kanë lidhje me pojektpropozime/projekte të ndryshme, dhurata apo ndihma materiale.
AKSHI, jep mendimin e saj, brenda afatit prej 20 ditë pune nga data e marrjes së dokumentacionit të sipërpërmendur.
ë) Zhvillon, administron dhe mirëmban rrjetin qeveritar GovNet dhe portalin qeveritar;
f) Bashkërendon projektet për futjen e kompjuterave në të gjithë sektorët e administratës publike, duke i dhënë përparësi institucioneve, që ofrojnë shërbime të drejtpërdrejta për publikun dhe bizneset;
g) Drejton strategjinë dhe projektet për ngritjen e shërbimeve on line të administratës publike, përfshi të gjitha shërbimet e qeverisjes elektronike;
gj) Mbështet dhe bashkërendon projektet për dixhitalizimin e bazës ligjore, të dokumentacionit, të arkivave, të bibliotekave etj.;
h) Nxit dhe mbështet përdorimin e internetit dhe TIK-ut në shkolla, përfshi kompjuterizimin dhe aksesin në internet të të gjitha shkollave publike;
i) Nxit dhe mbështet zhvillimin e biznesit on line (e bussiness);
j) Nxit dhe mbështet politika për zhvillimin e infrastrukturës së TIK-ut dhe të investimeve private në këtë fushë;
k) Promovon përhapjen e internetit dhe aksesin e publikut në shërbimet on line;
l) Promovon dhe mbështet rritjen e aftësive për përdorimin e kompjuterit dhe të internetit nga qytetarët;
ll) Bashkëpunon në fushën e SHI-së me institucione të tjera shtetërore dhe ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe sektorin privat;
m) Bashkërendon veprimtarinë dhe përgatit praktikat në kuadër të detyrimeve, konventave dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, dypalëshe dhe shumëpalëshe, në fushën e komunikimeve elektronike dhe postare;
n) Nëpërmjet Qendrës të të Dhënave Qeveritare (Datacenter Qeveritar) zhvillon dhe ofron shërbimet e infrastrukturës «cloud«, për administratën publike. Qendra e të Dhënave Qeveritare ofron, minimalisht, këto shërbime të përqendruara elektronike:
i. Autentifikim dhe identifikim të sigurtë;
ii. Postën elektronike qeveritare, (Gov mail);
iii. Internet të sigurtë;
iv. DNS të sigurtë (Domain Name System)
v. Shërbimet Hosting për sisteme, pajisje, aplikime, faqe/portale web etj.».
nj) Krijon dhe administron infrastrukturën qeveritare të Çelësit Publik (PKI).
Me garancinë financiare si institucion qeveritar, Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit siguron pajtueshmërinë me nenin 19 të ligjit Nr. 9880, datë 25.2.2008 «Për nënshkrimin elektronik.
Ministria e Financave, gjatë planifikimit të projektbuxhetit të shtetit, duhet të marrë mendimin e AKSHI-t, i cili është organ teknik-këshillimor i institucioneve të përmendura në shkronjën «dh», të pikës 3, të këtij vendimi, për kërkesat e tyre, për financimin me fonde buxhetore të projekteve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit».
4. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit.
5. Agjencia financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga projekte të ndryshme, nga institucione të huaja, si dhe nga burime të tjera, të ligjshme.
6. AKSHI drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton të gjithë veprimtarinë e AKSHI-t, dhe raporton para Ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t emërohet, lirohet ose shkarkohet me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e Ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit.
7. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të kësaj Agjencie rregullohen me Kodin e Punës. Pranimi në punë bëhet sipas procedurave të parashikuara në ligjin Nr. 8549, datë 11.11.1999 «Statusi i nëpunësit civil».
8. Efektet financiare, në shumën 33 282 368 (tridhjetë e tre milionë e dyqind e tetëdhjetë e dy mijë e treqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2007, të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
9. Ngarkohen Kryeministria dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. Vendim Nr. 837, datë 29.7.2009 Ngarkohet Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit për zbatimin e këtij vendimi. Vendim Nr. 28, date 20.01.2010, Vendim Nr.26, datë 11.01.2012 dhe Vendim Nr.34, datë 31.01.2013.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
SALI BERISHA