Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 3, e 69 të ligjit Nr. 9918, datë 19.5.2008 «Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë», me propozimin e Ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Në «Rregullat e zhvillimit të tenderit publik, për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave», që i bashkëlidhet vendimit Nr.1252, datë 10.9.2008 të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet si më poshtë vijon:
a) Në pikën 2.1 të kreut I, fjalët «…kryhet nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit…» zëvendësohen me «…kryhet nga ministri përgjegjës për fushën e komunikimeve elektronike…».
b) Në kreun III bëhen këto ndryshime:
i) Në pikën 17.1, fjalët «.përfaqësues të MPPT dhe METE, kur është e nevojshme…», zëvendësohen me «…përfaqësues të ministrit përgjegjës për komunikimet elektronike, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë…».
ii) Pikat 19.4, 21 dhe 21.1 ndryshohen si më poshtë vijon:
«19.4. Kur ofertuesi fitues nuk arrin të nënshkruajë autorizimin individual, AKEP-ja bën konfiskimin e sigurimit të ofertës dhe përzgjedh ofertuesin e radhës në listën e oferutesve që kanë mbetur.
Kjo nuk cenon të drejtën e AKEP-së, sipas pikës 9.1, të këtij kreu, për të refuzuar të gjitha ofertat e mbetura dhe për të anuluar procedurën e tenderit. Njoftimi sipas pikës 19.1, të këtij kreu, i dërgohet ofertuesit, oferta e të cilit është përzgjedhur sipas kësaj pike.».
«21. …Ndërprerja e procesit të përzgjedhjes së fituesit
21.1 Procesi i përzgjedhjes së fituesit, në vijim të procedurës së tenderit, vazhdon edhe nëse numri i ofertave të vlefshme do të rezultojë i barabartë ose më i vogël se numri i të drejtave të përdorimit të frekuencave që tenderohen, duke respektuar rregullat e konkurrencës dhe objektivat e politikës për zhvillimin e komunikimeve elektronike në Republikën e Shqipërisë. Ndërprerja e procesit të përzgjedhjes së fituesit zbatohet vetëm në rast se, në përfundim të vlerësimit të ofertave, nuk rezulton asnjë ofertë e vlefshme.».
c) Në kreun IV bëhen këto ndryshime:
i) Në pikën 1.1, fjalët «. dhe më pas nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit…» zëvendësohen me «…dhe më pas, nga ministri përgjegjës për fushën e komunikimeve elektronike…».
ii) Në pikën 1.5, fjalët «me shkrim pranë ministrit të MPPTT…» zëvendësohen me «…me shkrim pranë ministrit përgjegjës për fushën e komunikimeve elektronike…».
2. Ngarkohen Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha